Partizani e teproi, teksa Sekretari i Përgjithshëm, Gerald Burba, deklaronte ditën e sotme se FSHF hedh miliona për provincat, duke përmendur edhe investimin që po bëhet në stadiumin e Kuësit. Klubi verilindor nuk ka ngurruar të kundërpërgjigjet dhe nuk mungojnë as thumbimet ndaj “demave të kuq”.
LEXO EDHE: Stadiumi i Kukësit çështje, Partizani: Trajtim preferencial, ndihmohen provincat
REAGIMI – “Duke marrë shkas nga një deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partizanit, Gerald Burba ku klubi i Kukësit konsiderohet një klub provincial dhe me 5 vite histori, jemi të detyruar t’i tregojmë Z. Burba se klub historik nuk të bëjnë as deklaratat në media, as vitet e luajtura futboll dhe pa fituar asgjë dhe as fakti se je një klub i kryeqytetit.
Z. Burba dhe kushdo që ka një mendim të tillë për klubin tonë, duhet të kuptojë mirë se FK Kukësi është një klub i krijuar afro një shekull më parë dhe me sakrificë e shumë punë, bëri që të mbushej stadiumi kombëtar për të parë futboll të vërtetë dhe emocione të cilat kishit vite pa i provuar në arenën ndërkombëtare.
Sa i përket ndërtimit të stadiumit, investimi nuk po shkon te një klub 5-vjeçar, por te një klub që çdo vit luan dhe kalon ture në Europë, te një klub që po i jep tonus kampionatit duke luftuar çdo vit për titullin kampion, duke fituar ndaj jush si në Kukës, si në “Selman Stërmasi”, ashtu edhe në “Air Albania”. Këto fitore Z.Burba, nuk të bëjnë provincialë, por superiorë!
Futbolli luhet në fushë dhe jo në media. Kështu, Kukësit i takon stadiumi për gjithçka ka bërë në Shqipëri! Pavarësisht se ju jeni ziliqarë, tendenciozë e paragjykues, ne jemi Fair Play dhe do të vazhdojmë të nderojmë jo vetëm klubin e qytetin por edhe flamurin shqiptar.
Është për të ardhur keq se si një sekretar klubi mërzitet dhe irritohet pse te një klub investohet. Kukësi është një klub që çdo vit kërkon trofe dhe jo të ngjitet në Superiore dhe të zbresë në Kategorinë e Parë e të dytë ashtu siç ka bërë edhe klubi juaj. Me të vërtetë erdhëm edhe ne duke ngjitur çdo kategori, por ngjitja vazhdoi deri në turin e katërt të Europa League.
Kukësi si qytet i ka dhënë shumë jo vetëm Partizanit por edhe Shqipërisë. Nuk është provincë një qytet kandidat për çmimin Nobel. Mos harroni që ende tifozeria juaj duartroket një futbollist si Rrahman Hallaçi, e mos harroni njëkohësisht edhe numrin e sportistëve kuksianë që kanë kontribuuar për ju në sporte dhe disiplina të tjera.
Me deklaratën tuaj, keni ofenduar jo vetëm këto figura, por një qytet dhe një tifozeri të tërë. Ne nuk bëhemi ziliqarë dhe nuk mërzitemi pse një klub po forcohet e bëhet me stadium të ri, përkundrazi na vjen mirë që do të ketë më shumë konkurrencë. Shpresojmë dhe urojmë që të reflektoni edhe ju Z.Burba dhe të mos mërziteni e zemëroheni për sukseset e të tjerëve.
Klubi i Kukësit gjen rasti të falënderojë FSHF-në dhe qeverinë shqiptare për investimin e bërë në një qytet të diskriminuar dhe paragjykuar në dekada. Në këtë mënyrë, Kukësi nuk ka më nevojë të ecë me çanta në duar për të gjetur një stadium ku të luajë e njëkohësisht duke i hapur probleme edhe ekipeve kundërshtare”, shkruhet në reagimin e klubit të Kukësit. /abcnews.al