FSHF akuzon Ministrinë e Financave se po rrezikon përfundimin e stadiumit

schedule21:45 - 3 Nëntor, 2018

schedule 21:45 - 3 Nëntor, 2018

Stadiumi kombëtar në kryeqytet rrezikon të mos përfundojë në afat. Kështu deklaron Federata Shqiptare e Futbollit që akuzon Ministrinë e Financave se po pengon punimet.

Stadiumi kombëtar i futbollit mund të mos jetë gati në kohë.

Alarmin e ngre Federata Shqiptare e Futbollit e cila akuzon Ministrinë e Financave se po rrezikon ndërtimin sipas afateve të caktuara të impiantit më të rëndësishëm të këtij sporti.

Në një deklaratë në faqen e saj zyrtare në internet dhe në rrjetet sociale, Federata bën me dijë se Ministria e Financave refuzon të rimbursojë TVSH-në për pjesën e investimit të kryer nga institucioni i futbollit në “Arenën Kombëtare”.

Kjo do të thotë, sipas federatës, se investimit i mungojnë afërsisht 2 milionë euro dhe se praktikisht vihet në pikëpyetje mbarimi I punimeve në kohën e caktuar.

Federata e cilëson këtë si “sjellje prej tifozi ultras”, duke akuzuar ata që i quan burokratë të shtetit se janë mërzitur që kombëtarja u kualifikua në Euro 2016 dhe që Tirana po bëhet me stadium modern.

Gjithsesi, institucioni i presidentit Duka ka bërë me dije se do t’i drejtohet gjykatës për një veprim që e quan të padrejtë dhe në shkelje ligjore.

Parashikimet janë që në kushte normale, “Arena Kuqezi” të përfundojë në mbyllje të vitit të ardhshëm, ndërsa Federata nuk ka sqaruar se sa e madhe do të jetë vonesa nëse nuk gjendet akordi me qeverinë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!