Një gjykatë apeli në Britani i rriti dënimin një korrieri droge shqiptar, i cili u kap pasi kishte fshehur kokainën në vesh.
Klevis Drazhi, 20 vjeç, u ndalua në Moorgate më 19 Janar. Kur u pyet për lejen e drejtimit dhe sigurimet, mediat shkruajnë se Drazhi dorëzoi një leje drejtimi shqiptare false dhe një celular.
Në këtë moment, agjentët në shërbim vunë re një letër të bardhë të mbështjellë brenda veshit të tij. Pasi kontrolluan edhe makinën, policia zbuloi 11 doza me kokainë dhe 1.305 Paund cash.
Në dëshminë e tij, 20-vjeçari tha se ishte detyruar të shpërndante drogë nga një anëtar i mafias shqiptare. Ai pranoi gjithashtu se kishte hyrë në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë ilegale.
Drazhi, i cili banonte në Edmonton, u dënua fillimisht me 11 muaj burg nga Gjykata e Kurorës së Londrës. Por mediat britanike shkruajnë se pas ankimimit në Gjykatën e Apelit, dënimi i tij u rrit dhe shkoi në 30 muaj.
Ky dënim i Drazhit ka kënaqur të gjitha autoritetet, sipas të cilëve, Londra duhet të ketë zero tolerancë mbi personat që merren me lëndë narkotike./abcnews.al