Frikë nga Putin në finalen e Euro 2024, policia gjermane rrit masat e sigurisë para sfidës Spanjë-Angli

schedule16:16 - 14 Korrik, 2024

schedule 16:16 - 14 Korrik, 2024

Do të jetë si një përmbytje.

Berlini është “pushtuar” me të vërtetë sot nga dhjetëra mijë tifozë, ndërsa në program është finalja e Kampionatit Evropian.

Anglezët numërojnë rreth 50 000, një shifër vërtet e madhe, ndërsa autoritetet gjermane janë të shqetësuara.

Ka zëra dhe dyshime se shërbimet sekrete ruse mund të përgatisin incidente në prag apo gjatë sfidës mes Spanjës dhe Anglisë, dhe objektivi i tyre do të jenë më së shumti tifozët britanike, kjo, sepse Britania e Madhe cilësohet si kundërshtar i hapur dhe shumë aktiv kundër Rusisë.

Policia gjermane ka marrë masa shtesë, përveç atyre të zakonshme gjatë turneut, dhe me mijëra agjentë do të jenë vendosur në pikat më të rëndësishme të kryeqytetit, sipas një harte të përpiluar që më parë nga specialistët.

Nuk është e qartë se çfarë mund të bëjnë realisht agjentët e presidentit rus, Vladimir Putin, por për çdo rast gjykohet që masat e sigurisë duhet të jenë të forta.

Policia do të ruajë dy fan zonat në Berlin, me kapacitet 30 e 10 000 persona, sheshe e rrugë me shumë tifozë, hapësirën rreth “Olympiastadion”, metronë e shumë vende të tjera.

Ndërkaq, tifozët spanjollë pritet të jenë në minorancë, deri 5 me 1.

Nga ata dhe nga Federata Spanjolle e Futbollit, ka akuza ndaj UEFA-s se ndarja e biletave nuk është bërë siç duhet, veçse duhet theksuar se nuk është hera e parë gjatë këtij Evropiani, që “Furitë e Kuqe” kanë pasur më pak përkrahje se të tjerët. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!