Frikë nga lufta kibernetike, Rusia fik internetin

schedule22:30 - 11 Shkurt, 2019

schedule 22:30 - 11 Shkurt, 2019

E trembur nga një hakmarrje e Perëndimit për shkak të agresioneve kibernetike, Rusia ka vendosur të shkëpusë lidhjet me internetin tradicional dhe të krijojë linjën e saj, për t’u mbijetuar përpjekjeve për izolimin e saj online.

Rusia po planifikon të shkëputet përkohësisht nga interneti, për shkak të frikës nga një luftë kibernetike që mund të ndodhë në të ardhmen. Lëvizja e planifikuar nga Kremlini do të thotë se të dhënat në zotërim të organizatave dhe qytetarëve rusë do të qarkullojnë vetëm brenda vendit dhe jo në nivel ndërkombëtar.

Një ligj që mandaton ndryshimet teknike u paraqit në Parlamentin rus vitin e kaluar dhe plani i administratës ruse pritet të hyjë në fuqi përpara 1 Prillit, edhe pse nuk ka një datë të saktë. Projektligji, i quajtur Programi kombëtar për ekonominë digjitale, u kërkon shërbimeve ruse të internetit që të ofrojnë garanci se mund të veprojnë edhe përballë përpjekjeve të fuqive të huaja për të izoluar Rusinë online.

NATO dhe aleatët e saj kanë kërcënuar se do të sanksionojnë Rusinë për shkak të sulmeve të saj kibernetike dhe ndërhyrje të tjera, për të cilat Moska akuzohet prej kohësh. Masat e parashikuara në kuadër të ligjit parashikojnë që Rusia të krijojë versionin e vetë të sistemit të adresimit të rrjetit, i njohur si DNS, në mënyrë që të operojë më vete nëse lidhjet me serverët e vendosur ndërkombëtarisht ndërpriten.

Aktualisht janë 12 shoqëri që mbikëqyrin serverët e sistemit të adresimit dhe asnjë prej tyre nuk ndodhet në Rusi. Megjithatë, shumë kopje të DNS-së ekzistojnë edhe në Rusi, që do të thotë se rrjeti i saj mund të funksionojë edhe nëse ndërmerren veprime ndëshkuese për shkëputjen e tij./abcnews.al