Frika për një sulm nga Kina/ Tajvani nuk mund t’i marrë avionët F-16 deri në 2026-ën, shkak problemet kompjuterike

schedule07:55 - 26 Maj, 2023

schedule 07:55 - 26 Maj, 2023

Porosia e Tajvanit për 66 avionë luftarakë të rinj të avancuar F-16V nga Shtetet e Bashkuara nuk do të përfundojë deri në vitin 2026 për shkak të problemeve të programit kompjuterik, tha të enjten Ministri i Mbrojtjes Chiu Kuo-cheng. Vonesat në dërgesat e armëve amerikane kanë ardhur pasi prodhuesit e kthyen vëmendjen e tyre në Ukrainë.

Në fillim të këtij muaji, ministri i Mbrojtjes i ishullit vetëqeverisës tha se vonesa ishte rezultat i ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit, por të enjten ai shtoi se pezullimi ishte për shkak të problemeve të programit kompjuterik për kontrollin e fluturimit.

“Në parim deri në vitin 2026, 66 avionët do të mbërrijnë të gjithë. Nuk ka absolutisht asnjë problem për këtë”, u tha zoti Chiu gazetarëve në parlament.
Shtetet e Bashkuara miratuan shitjen prej 8 miliardë dollarësh të avionëve luftarakë Lockheed Martin F-16 për Tajvanit në vitin 2019.

Rritja e mbrojtjes është e rëndësishme për Tajvanin për shkak të shqetësimeve në rritje se Kina do të përpiqet të marrë me forcë ishullin – të cilin Pekini e pretendon si të vetin.

Që nga viti i kaluar, Tajvani është ankuar për vonesat në dërgimin e armëve amerikane, duke përfshirë raketat anti-ajrore Stinger. Prodhuesit kanë çuar furnizimet në Ukrainë pasi Rusia filloi agresionin vitin e kaluar.

Por për Komisionin e Posaçëm të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara për Partinë Komuniste Kineze, dorëzimi i armëve në Tajvan është një prioritet urgjent.

Të mërkurën, komisioni miratoi 10 rekomandime për Kongresin, duke përfshirë që Shtetet e Bashkuara duhet të dorëzojnë pajisjet ushtarake “të prapambetura” që Tajvani kishte porositur. Disa rekomandime të tjera lidhen gjithashtu me forcimin e aftësive mbrojtëse të Tajvanit.
Dy avionët e parë F-16 të porosisë supozohej të ishin dorëzuar midis tetorit dhe dhjetorit të këtij viti, por kjo është shtyrë në mes korrikut dhe shtatorit të vitit 2024, thanë zyrtarët tajvanezë këtë muaj.

Zëdhënësja e Lockheed, Liz Lutz, i tha agjencisë Bloomberg se kompania po punon “nga afër me qeverinë amerikane për të adresuar sfidat në mbështetje të objektivave të sigurisë amerikane”.

Ndërsa vizitoi Tajvanin muajin e kaluar, ligjvënësi Michael McCaul, kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se po përpiqej të përshpejtonte dërgesat e armëve.

Rupert Hammond-Chambers, president i Dhomës së Tregtisë SHBA-Tajvan, i tha Zërit të Amerikës se mbështetja ushtarake e huaj për Tajvanin është “vetëm një pjesë e përpjekjeve”./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!