Qytetarët duket se u mësuan me karantinën. Edhe pse orët e levizjes së lirë u zgjatën, në rrugët e Sarandës nuk kishte dyndje.
Të moshuarit nuk rrinë dot pa dalë.
“Sa për mëngjesin është më mirë për të dalë sepse nuk ka shumë njerëz, kemi nevojë të ecur”, u shpreh një qytetare.
Jeton e vetme me të shoqin, pasi fëmijët i ka në Greqi. Ajo tregon se mbyllja e kufijve e ka lënë pa ilaçe.
“Deri tani kemi pasur ilaçe, por tashmë nuk kemi ku ti gjejmë sepse na i dërgonte vajza nga Greqia. Tani do të shohim se si do të bëjmë”, tha një e moshuar.
Një tjetër i moshuar rrëfen se frika nga koronavirusi e detyroi të qëndrojë i mbyllur.
“Për ne të moshuarit është e vështirë. Nuk kemi çfarë ti bëjmë natyrës”, thotë ai.
Edhe në Gjirokastër, në zonën tjetër të hapur këtë të hënë, të moshuarit dolën për të kryer blerjet e nevojshme.
Librazhdi është një tjetër qytet që del nga zona e karantinës. Aty kishte dyndje në sheshe dhe rrugë.
“Si moshë e tretë që jemi ecura na bën më mirë”, shprehet një prej të moshuarve.
Ka edhe të tjere që thonë se shteti duhet të kishte menduar edhe për shtresat në nevojë.
“Ai thotë të qëndrojmë brenda, me çfarë do të ushqehem, ilaçe, drita kemi për të paguar”, thotë një qytetar.
Të shumtë ishin edhe dibranët që dolën për të kryer shërbimet pas më shumë se një muaj izolim./abcnews.al