Frika nga infektimi me Covid përgjysmon numrin e urgjencave pediatrike

schedule16:29 - 17 Shkurt, 2021

schedule 16:29 - 17 Shkurt, 2021

Nga Ema Shazivari

Teste të shpejta për ekzaminimin e COVID edhe në pediatri. Shefja e shërbimit, Numila Kuneshka shprehet se tashmë është krijuar një pavion triazhimi, ku shtrohen fëmijët të cilët dyshohet se mund të jenë të prekur nga virusi.

Pasi bëhet diagnostikimi, shtrohen sipas nevojës, duke shmangur kështu përhapjen e koronavirusit.

“Fëmijët të cilët paraqiten në urgjencën e Pediatrisë, dhe kanë indikacion të shtrohen në spital, do të kalojnë në triazhin për COVID. Që do të thotë, pavioni i pediatrisë së përgjithshme është kthyer në pavion COVID-i. Pra këta fëmijë me temperaturë marrin tamponin. Qoftë testin e shpejtë që ne e kemi në urgjencë, qoftë atë PCR. Deri në ardhjen e përgjigjes, këta fëmijë qëndrojnë të shtruar në pavionin e Pediatrisë së përgjithshme” , u shpreh ajo.

Edhe pse ndodhemi në periudhën më të rrezikuar nga përhapja e virozave të stinës, Kuneshka thotë se është ulur ndjeshëm numri i fëmijëve që paraqiten në urgjencë.

Nëse 1 vit më parë vizitoheshin mbi 350 raste në ditë, në 2021 janë mesatarisht 100.

“Në urgjencën e spitalit të Pediatrisë, paraqiten çdo ditë mesatarisht 100 fëmijë. Nëse më përpara kemi thënë që numri ka qenë më i rritur, mbi 300-400, me fillimin e pandemisë, u bë mbi 10 muaj që numri ka një rënie” sqaroi Kuneshka.

Shkak duket se është edhe frika nga infektimi me covid.

“Kjo sepse një pjesë e fëmijëve që shkonin në çerdhe apo kopshte mund të mbahen në shtëpi, duke evituar kështu edhe virozat kolektive. Por një pjesë për shkak të frikës së COVID, bën që prindërit ti menaxhojnë më mirë në shtëpi”, tha më tej ajo.

Në vendin tonë krahas COVID, po qarkullojnë edhe viroza të tjera të traktit respirator. Rrallë ka prezencë të atyre gastrointensinale.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!