Freedom House: Demokracia në rënie

schedule09:10 - 5 Shkurt, 2019

schedule 09:10 - 5 Shkurt, 2019

Shqipëria dhe Kosova radhiten në mesin e vendeve pjesërisht të lira sipas raportit më të fundit të Freedom House. Një tjetër e dhënë shqetësuese është se demokracia po shënon rënie për të 13-n vit rradhazi.

Organizata Freedom House me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës thekson në raportin e saj të publikuar të martën se parimet demokratike siç janë integriteti i zgjedhjeve dhe të drejtat e migruesve, po dobësohen për të 13-n vit me radhë.

Sipas organizatës që ka analizuar të dhënat nga 195 vende, 44 për qind e tyre radhiten në mesin e vendeve të lira, 30 për qind janë me liri të pjesshme dhe 26 për qind radhiten në mesin e vendeve jo të lira.

Nga vendet e Ballkanit, vetëm Kroacia është në mesin e vendeve të lira, ndërsa Shqipëria dhe Kosova radhiten në mesin e vendeve pjesërisht të lira, sëbashku me Maqedoninë, Bosnje e Hercegovinën, Serbinë dhe Malin e Zi.

Serbia ishte radhitur një vit më parë në mesin e vendeve të lira, por sipas raportit, ajo shënoi rënie për shkak të parregullsive në zgjedhje, fushatave kundër gazetarëve të pavarur dhe përqendrimit jo kushtetues të pushtetit në duart e presidentit Aleksandër Vuçiç.

Edhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, përfshihet në raport për siç thuhet, përqendrimin e pushtetit shtetëror rreth vetes dhe grupit të tij, duke tejkaluar rolin e tij kushtetues.

Ndër përfundimet e raportit, është edhe dobësimi i Shteteve të Bashkuara si një kampion i demokracisë, që radhitet lart në mesin e vendeve të lira, por më poshtë sesa demokracitë tjera si si Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar apo Kanadaja.

Raporti mbi “Liritë në Botë”, publikohet që nga viti 1973, duke i dhënë mundësinë organizatës Freedom House të ndjekë rrjedhat botërore për më shumë se 45 vjet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!