Fredi Beleri mbetet në qeli, avokatët: Nesër do ankimojmë vendimin në Gjykatën e Apelit

schedule15:26 - 22 Maj, 2023

schedule 15:26 - 22 Maj, 2023

Avokatët e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, deklaruan se ditën e nesërme, do të ankimojnë në Gjykatën e Apelit, vendimin e Gjykatës së Posaçme (GJKKO) që e la në qeli.

Ata deklaruan se Fredi Beleri ka kërkuar drejtësi nga gjykata dhe se nuk i ka pranuar akuzat që janë ngritur në drejtim të tij.

“U la vendimi që dha Gjykata e Vlorës, u lejua vazhdimi i arrestit me burg. Ne patëm pretendimet tona, Fredi Beleri kërkoi vetëm drejtësi nga gjykata duke mos e pranuar dyshimin që është ngritur për të. Nesër, sipas vendimit që u dha, do të ushtrojmë të drejtën e ankimit në Gjykatën e Apelit. Ato që kemi deklaruar gjatë gjithë kësaj kohe, ne pretendojmë se nuk ka dyshim të arsyeshëm dhe nuk duhet vendosur masë sigurie për të dy shtetasit. Lexuan ato që kanë lexuar prokurorët e Vlorës. Nuk është takuar asnjëherë me të inflitruarin”, theksuan avokatët.

Këtë të hënë, GJKKO dha vendimin “Arrest me burg” për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri dhe bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshi.

Arrestimi i tij është bërë dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit, pasi akuzohet për shitblerje votash. Kjo ngjarje solli reagime edhe nga pala greke, e cila ka bërë shpesh thirrje për lirimin e Belerit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!