Franko Lerda: Rezultati ishte i drejtë, besoj tek kualifikimi

schedule22:53 - 10 Korrik, 2019

schedule 22:53 - 10 Korrik, 2019

Trajneri i Partizanit Franko Lerda tha pas ndeshjes se rezultati ishte i drejtë dhe kërkon kualifikimin. Në kampin tjetër, trajneri i Karabag, Gurbanov paralajmëron të kuqtë për sfidën e kthimit.

Partizani arriti të marrë një barazim pa gola ndaj Karabag në ndeshjen e parë të kualifikuesve të Champions League pas një performance të shkëlqyer. Franko Lerda e nis mbarë në krye të kryeqytetasve dhe zbulon se është mjaft i kënaqur nga rezultati dhe shpreson tek kualifikimi në Azerbajxhan.

“Jam shume i kënaqur me rezultatin pasi lojtarët zhvilluan një ndeshje shumë të mirë kundër një kundërshtari mjaft të fortë. Më pëlqeu shumë ndeshja, por nëse do të kishim pak fat do të fitonim. Të dyja skuadrat goditen traversën. Ata qarkulluan më mirë topin ndërsa ne krijuam rastet më të mira për shënim. Jam i lumtur për performancën e futbollistëve të rinj. Në fushën e Karabag do të jetë një ndeshje e hapur nisur edhe nga rezultati i sfidës së parë. Do të jetë shumë e vështirë, por ne do të bëjmë më të mirën tonë dhe shpresojmë t’ia dalim”, tha ai.

Trajneri i Karabag, Gurban Gurbanov paralajmëron Partizanin për ndeshjen e kthimit ndërkohë që thekson se barazimi ishte rezultati i drejtë.

“Jam i kënaqur nga rezultati. Ishte ndeshje e vështirë. Partizani luajti fort dhe u rreshtua mirë në mbrojtje. Në ndeshjen e kthimit Partizani do të ketë tepër të vështirë. Në pjesën e dytë ishin më të rrezikshëm pasi luanin para tifozërisë së tyre”.

Ndeshja e kthimit në Karabag do të zhvillohet të mërkurën e ardhshme./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!