Francë, rreth 3 000 shtetas të saj janë larguar nga Libani

schedule11:28 - 16 Tetor, 2024

schedule 11:28 - 16 Tetor, 2024

Qeveria e Francës njoftoi se rreth 3 mijë shtetas francezë janë larguar nga Libani në të cilin Izraeli vazhdon sulmet e tij.  Sipas lajmit të gazetës “Les Echos”, ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot trajtoi situatën në Liban gjatë një fjalimi të mbajtur në Parlament.

Barrot informoi se pas fillimit të sulmeve izraelite në Liban, rreth 3 mijë shtetas janë larguar nga vendi ku jetojnë mbi 23 mijë francezë. Ai vuri në dukje se 350 nga këto shtetas kanë përfituar nga shërbimet e evakuimit të ambasadës franceze në Bejrut.

Shumë vende filluan evakuimin e qytetarëve të tyre nga Libani pasi Izraeli njoftoi se ka filluar “sulme të kufizuara dhe intensive tokësore” kundër infrastrukturës së Hezbollahut në jug të Libanit. Franca që nga 3 tetori evakuoi shtetasit francezë nga vendi me fluturime të organizuara nën koordinimin e ambasadës së saj në Bejrut.

– Në sulmet e Izraelit në Liban kanë humbur jetën 2.350 persona

Ushtria izraelite, e cila që nga 8 tetori 2023 ka vazhduar konfliktin e kontrolluar me Hezbollahun, më 23 shtator kreu qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit si dhe në rajonet Beqaa dhe Baalbek.

Sipas të dhënave të Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, që nga 8 tetori 2023 e deri më tani janë vrarë gjithsej 2.350 persona, përfshirë 104 fëmijë dhe 194 gra, ndërsa janë plagosur 10.906 persona.

Lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u vra në sulmet ajrore të ushtrisë izraelite në Bejrut më 27 shtator.

Ndërsa, Hezbollahu i përgjigjet me predha dhe raketa Izraelit. Në këto sulme, të cilat kryesisht kishin në shënjestër bazat e ushtrisë në anën izraelite, nuk janë raportuar dëme të mëdha.

Për shkak të bombardimeve izraelite brenda vendit janë zhvendosur qindra mijëra njerëz.

Teksa vala e migrimit vazhdon nga pjesët jugore të vendit drejt kryeqytetit Bejrut dhe veriut, qeveria e Libanit ka njoftuar se mbi 456 mijë nga persona te zhvendosur kanë migruar në Siri.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!