Qindra aktivistë ekologjistë janë përleshur dhunshëm me policinë franceze në një zonë pyjore në qytetin e Nantës. Ata kundërshtojnë ndërtimin e një aeroporti. Mësohet se një agjent është plagosur ndërsa një manifestues është arrestuar.
Makina të përmbysura, lëshim gurësh, disa zjarre të ndezura: një polic francez mbeti I plagosur ndërsa një person u arrestua. Janë regjistruar moment tensioni mes manifestuesve pro mjedisit dhe forcave të rendit në operacionin e gjerë të spastrimit të një pylli në Notre-Dame-des Landes. Bëhet fjalë për një zonë në afërsi të qytetit të Nantës, e zgjedhur përsëri për projektin e braktisur 3 muaj më parë, për ndërtimin e një aeroporti të ri.
Teatër i përleshjeve shumë të dhunshme ishte pylli përreth rrugës shtetërore 281, ku prej 5 vitesh është populluar nga persona që jetojnë atje në mënyrë të paligjshme, të cilët kanë ndërtuar një kamp dhe pengesa të çdo lloji. Qeveria, që vijon qëndrimin e saj, ka njoftuar se rruga do të lirohet dhe do të mundësohet lëvizja si “shenjë e rikthimit të sundimit të ligjit”.
Ministria e brendshme ka shpjeguar se operacioni – për të cilin janë angazhuar 2500 anëtarë të xhandarmërisë – ka për qëllim dëbimin e elementëve më radikalë, “qindra persona” dhe “të prishë shumë objekte ilegale”. Ndërkohë, në janar, kryeministri Edouard Philippe njoftoi se qeveria hoqi dorë nga projekti i ndërtimit të aeroportit. Por theksoi dhe se zona e pushtuar nga ambjentalistët duhet të spastrohet dhe të përdoret për kamp agrikulture. Nga ana tjetër, aktivistët e mjedisit kanë ritheksuar bindjen e tyre për të mos lejuar prishjen e ndërtimeve të tyre dhe se nuk do të largohen nga zona pyjore./abcnews.al