Franca goditet sërish nga terrorizmi. Një pengmarrje ka ndodhur në qytezën Treb në jug të Francës. Një person i armatosur u mbyll brenda në një supermarket, ku ka pasur dhjetëra njerëz.
Falë ndërhyrjes së policise, janë liruar klientët e mbajtur peng në supermarket, por janë konfirmuar dhe 3 viktima. Mes tyre është një punonjës i supermarketit. Ndërsa është ekzekutuar pengmarrësi, i cili i mbajti peng qytetarët për rreth dy orë.
Sipas kryebashkiakut të Treb, Erik Menas, klientët e marrë peng kanë dalë nga supermarketi, ndërsa personi i armatosur mbeti brenda vetëm me një zyrtar të xhandarmërisë franceze që ishte i pranishëm në momentin e pengmarrjes.
Pasi ka qëlluar kundër agjentëve të policisë dhe para se të hynte në supermarket, agresori deklaroi se ishte anëtar i ISIS dhe sipas raportimit të medias vendase “Telegrami i mesditës”, ai deklaroi se po merrte hak për atë që po ndodhte në Siri.
Pengmarrësi kërkonte gjithashtu lirimin e Salah Abdeslam, një terrorist i arrestuar për sulmet terroriste në Francë në Nëntor 2015-s.
Dëshmitarët thanë se autori kishte me vete armë, thika dhe disa granata dore.
Hetuesit thonë se më herët në Karkason një person i armatosur ka qëlluar me armë zjarri disa agjentë policie, duke plagosur në shpatull nje prej tyre. Hetuesit mendojnë se kanë të bëjnë me të njëjtin agresor edhe ne rastin e pengmarrjes.
Sipas të dhënave të para të konfirmuara nga policia franceze, agjentët e policisë që u qëllun mëngjesin e sotëm po ktheheshin në kazermë pas vrapit të mëngjesit, kur mbi ta u qëllua rreth gjashtë herë./abcnews.al