Francë, nderohen viktimat e sulmit terrorist në Trebes

schedule12:07 - 25 Mars, 2018

schedule 12:07 - 25 Mars, 2018

Franca ka nderuar viktimat e sulmit terrorist që ndodhi në një supermarket në qytezën Trebes. Qytetarë të shumtë kanë vendosur lule dhe qirinj në një memorial përkujtimor.

Një memorial përkujtimor është mbajtur në qytetin jugor francez Trèbes, në nderim të katër viktimave të vrarë nga një sulmues islamik të premten. Oficeri i policisë Arnaud Beltrame, i cili vdiq duke shpëtuar jetën e pengjeve në një sulm në supermarket, gjithashtu do të nderohet në një memorial të veçantë kombëtar në Paris në ditët e ardhshme. Ai është përshëndetur si një hero pasi ndërroi vendet me një person që po mbahej peng.

Për nderim të viktimave, u mbajt një meshë në Kishën e Saint-Etienne në Trèbes. Sulmi ka tronditur qytetin rural prej 5,000 banorësh dhe lulet janë vendosur përpara dyqanit “Super U” ku ndodhi sulmi terrorist. Qytetarët e kësaj zone shprehen se mendonin që këto lloj atentatesh ndodhnin vetëm në qytete të mëdha.

Ky ishte sulmi më i ashpër terrorist nën presidencën e Emmanuel Macron. Autori, 25-vjeçari Redouane Lakdim, ishte një listën e ekstremistëve dhe cilësohej nga autoritetet si kriminel shumë i rrezikshëm. Por shërbimi i inteligjencës konsideronte se ai nuk përbënte ndonjë kërcënim. Lakdim është qëlluar për vdekje nga policia franceze. Dyshohet se ai kishte lidhje me një celulë terroriste që vepron në Spanjë dhe Francë.

25-vjeçari, i cili premtoi besnikëri militantëve të Shtetit Islamik, thuhet se ka kërkuar lirimin e Salah Abdeslam, i dyshuari më i rëndësishëm i mbijetuar në sulmet e 13 nëntorit 2015 në Paris, ku janë vrarë 130 njerëz. Përpara se të mbante pengje në Trebes, Lakdim rrëmbeu një makinë në afërsi të Carcassonne, duke qëlluar shoferin portugez, i cili është në gjendje të rëndë dhe duke vrarë pasagjerin Jean Mazieres. Më pas ai hapi zjarr ndaj një grupi policësh duke plagosur njërin prej tyre, agresori hyri në supermarketin “Super U” ku vrau punonjësin e mishit, Christian Medves. Një tjetër person që humbi jetën gjatë pengmarrjes ishte dhe ndërtuesi i dalë në pension Herve Sosna. /abcnews.al