Francë-Gjermani, Macron takon Merkel

schedule20:36 - 19 Janar, 2018

schedule 20:36 - 19 Janar, 2018

Presidenti Emanuel Macron në takimin me kancelaren Angela Merkel theksoi nevojën e aksit franko-gjerman për reformimin e BE-së. Nga ana tjetër, Merkel tha se për të çuar përpara reformat në Union, duhet një qeveri e qëndrueshme në Gjermani.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, priti në Paris në një vizitë zyrtare kancelaren Gjermane, Angela Merkel. Dy liderët diskutuan për “të ardhmen e Evropës dhe prioritetet e ardhshme”. Pas takimit, Macron dhe Merkel dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp. Presidenti francez theksoi se në reformimin e Unionit Europian, i duhet edhe ndihma e Gjermanisë.

Emmanuel Macron, President i Francës: “Ambiciet që kemi për Evropën nuk mund të realizohen vetëm dhe e kam thënë tashmë shumë herë më parë, ajo duhet të bashkohet me ambiciet e Gjermanisë, kjo është ajo për të cilën po punojmë. Nuk më takon mua të komentoj politikën e brendshme të një vendi mik. Por nga tratativat në vijim për formimin e një qeverie të re gjermane duhet të dalë një amicie reale për projektin europian”.

Nga ana tjetër, Merkel bëri me dije se do të mbështesë projektin e presidentit francez për reformimin e Unionit. Megjithatë theksoi nevojën se për këtë duhet një qeveri gjermane e fortë dhe e qëndrueshme.

Angela Merkel, Kancelare e Gjermanisë: “Unë e kuptoj se në Francë po prisni që të formohet një qeveri e re gjermane. Në diskutimet paraprake, siguruam se çështjet europiane janë prioritet. Për të treguar se për të qenë efektiv në Europë, është e rëndësishme që të kemi një qeveri të qëndrueshme në Gjermani”.

Ndërkohë, Macron nuk e fshehu entuziazmin e tij për një qeveri me koalicion të gjerë në Gjermani ku përfshihet partia e Unionit Kristiandemokrat CDU, Unionit Kristiansocial CSU dhe Partisë Socialdemokrate SPD. Presidenti francez mbështet këtë qeverisje pasi SPD e drejtuar nga Martin Shulc mbështet plotësisht çdo propozim të Macron.

Të dielën, rreth 600 delegatë të kësaj force politike do të pyetën nëse mbështesin marrëveshjen paraprake për bashkëqeverisje të arritur me konservatorët e Merkel javën e kaluar. Aty do të vendoset dhe fati i kancelares gjermane që është në pushtet prej 12 vitesh. Nëse marrëveshja nuk do të aprovohet, atëherë në Gjermani do të zhvillohen zgjedhje të reja federale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!