Francë, Asambleja Kombëtare aprovon ligjin për rregullat e reja të emigracionit

schedule12:16 - 23 Prill, 2018

schedule 12:16 - 23 Prill, 2018

Asambleja Kombëtare e Francës miratoi një projektligj që ndryshon rregullat për emigracionin dhe azilkërkuesit. Kjo masë shkurton kohën e shqyrtimit të kërkesave për azil dhe përshpejton dëbimet.

Pas një jave të mbushur me debat dhe shqyrtim të rreth 1 mijë amendamenteve, Asamblea Kombëtare e Francës ka votuar në raundin e parë projektligjin për të drejtën e azilit dhe emigracionit, me 228 vota pro. Deputetët që e kundërshtuan ishin 139, ndërsa 24 abstenuan. Ligji është mbështetur nga maxhoranca qeveritare e përbërë nga “En Marche”, Lëvizja Demokratike dhe grupi UDI. Kundër tij u shprehën Republikanët dhe të gjitha forcat e së majtës si dhe eksponentët e Frontit Nacional.

Gjithashtu pati mendime të ndryshme edhe Brenda maxhorancës. Ish-socialisti Jean Michel Clement votoi kundër dhe më pas njoftoi largimin nga grupi parlamentar. Ndërsa 14 të tjerë abstenuan.

I mbrojtur nga ministri i brendshëm Gerard Collomb, projektligji për “emigracionin e kontrolluar, një azil efikas dhe integrim të suksesshëm”, synon të reduktojë në 6 muaj, përfshirë apelimin, nga 11 aktualë, shqyrtimin e kërkesës së azilit. Objektivi është që të thjeshtësohet dëbimi i personave që u refuzohet azili.

Ndërsa është zgjatur nga 45 në 90 ditë, afati I ndalimit administrativ. Kjo masë synon të bëjë më efikase fushatën e dëbimeve. Rruga i është hapur projektligjit në një kohë të trazuar në frontin e emigracionit, ku në vend janë zhvilluar protesta të shumta pro dhe kundër këtij fenomeni. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!