Francë, 3 të vrarë dhe 16 të plagosur/Reagon Macron

schedule20:51 - 23 Mars, 2018

schedule 20:51 - 23 Mars, 2018

Tre persona mbetën të vrarë dhe 16 të tjerë të plagosur si pasojë e një sulmi terrorist në jug të Francës. Në reagimin e tij, presidenti Emmanuel Macron ka shprehur vendosmërinë për të çuar deri në fund luftën ndaj terrorizmit islamik.

Tre persona janë vrarë dhe 16 të tjerë janë plagosur këtë të premte në Francë, në një agresion të cilin presidenti Emmanuel Macron e cilësoi një akt të “terrorizmit islamik”. Në reagimin e tij ndaj ngjarjes, Macron ka bërë me dije se shërbimet e sigurisë po hetojnë deklaratën përmes të cilës Shteti Islamik mori përsipër përgjegjësinë. “Dua të siguroj gjithë kombin për vendosmërinë time absolute për të udhëhequr këtë luftë”, ka thënë Macron, i cili ndërpreu vizitën në Bruksel për të drejtuar një mbledhje me ministrat përgjegjës dhe shefat e institucioneve të sigurisë. Gjithçka nisi paraditen e hershme të së premtes në lokalitetin Karkason, ku 26-vjeçari Reduan Lakdim ekzekutoi me plumb në kokë një qytetar dhe plagosi një tjetër për t’u marrë makinën. Më pas i riu qëlloi ndaj një grupi policësh duke lënë të plagosur njërin prej tyre dhe udhëtoi drejt Trebes, ku u fut në supermarket dhe klithi “Allahu Akbar!”. “Unë jam një ushtar i Shtetit Islamik”, tha ai dhe mbajti për disa orë peng njerëzit.

Disa qindra efektivë të policisë u vendosën në zonë dhe izoluan perimetrin. Një oficer i xhandarmërisë, 45 vjeç, doli vullnetar për t’u ndërruar me një nga pengjet. Ai e mbajti linjën e celularit të tij hapur, në mënyrë që policia të monitoronte situatën. Oficeri, i konsideruar nga ministri i Brendshëm Zherard Kolomb një hero, u qëllua nga autori dhe mbeti seriozisht i plagosur. Kur efektivët dëgjuan të shtënat brenda supermarketit vendosën të organizonin blicin, gjatë të cilit agresori mbeti i vrarë. Ministri Kolomb deklaroi për mediat se Lakdim ishte i njohur për krime të vogla si vjedhje dhe posedim droge, por nuk ka pasur të dhëna që të sugjeronin një radikalizim të tij./abcnews.al