Qeveria franceze ka vendosur të taksojë gjigandët amerikanë të teknologjisë si Google dhe Facebook, duke shpërfillur kërcënimet e Shteteve të Bashkuara për rritjen e tarifave në shenjë hakmarrjeje.
Franca ka aprovuar vendosjen e taksës për shërbimet dixhitale pavarësisht kërcënimeve për hakmarrje të bëra nga Shtetet e Bashkuara, që e cilësojnë taksimin të padrejtë. Taksa prej 3 për qind do të vendoset për shitjet që gjenerohen në Francë nga kompani shumëkombëshe si Google dhe Facebook.
Qeveria franceze ka argumentuar se firma të tilla me seli jashtë vendit paguajnë pak ose aspak taksa. Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara kanë urdhëruar nisjen e një hetimi ndaj kësaj lëvizjeje, që mund të çojë në rritjen e tarifave.
Taksa e re u aprovua nga senati francez ditën e enjte, një javë pasi ishte miratuar nga Asambleja Kombëtare. Sipas rregullores së re, çdo kompani dixhitale me të ardhura që arrijnë mbi 750 milionë euro, 25 milionë prej të cilave gjenerohen në Francë, do të jenë subjekt i taksimit.
Aplikimi i saj do të përfshijë edhe muajt e parë të 2019-s dhe pritet që deri në fund të vitit të arrijë në 400 milionë euro. Aktualisht, kompanitë paguajnë fare pak ose aspak taksa në vendet ku nuk kanë një prani të gjerë fizike dhe përfitimet e tyre i deklarojnë në vendet ku kanë selitë.
Komisioni Europian vlerëson se ndërsa bizneset tradicionale duhet të paguajnë mesatarisht 23 për qind të përfitimeve të tyre si taksa, kompanitë e internetit paguajnë vetëm 8 ose 9 për qind./ABC News Albania 24/7