Franca përgatitet për ditët e “ferrit”, temperaturat mbi 40 gradë

schedule23:55 - 24 Qershor, 2019

schedule 23:55 - 24 Qershor, 2019

Franca pritet të përfshihet në ditët e ardhshme nga një i nxehtë agresiv, me temperaturat që do të kalojnë 40 gradë Celsius. Shërbimi meteorologjik vendas e krahason qershorin me gushtin e vitit 2003, kur thuajse 15 mijë persona humbën jetën për shkak të motit të nxehtë.

Franca po bëhet gati të mbërthehet nga një mot i nxehtë me temperaturat që pritet të shkojnë mbi 40 gradë Celsius më vonë gjatë javës dhe të thyejnë rekordin për muajin qershor.

Temperaturat arritën mbi 35 gradë këtë të hënë dhe pritet që të arrijnë pikun të enjten dhe të premten. Veriu i vendit, përfshirë Parisin, do të jetë zona më e prekur nga vala e të nxehtit. Depozita me ujë do të vendosen në mbarë vendin, ndërsa pishinat publike do të qëndrojnë të hapura deri vonë në kuadër të një plani për t’i bërë ballë motit të nxehtë.

Gjithashtu, në rrugë do të ketë skuadra që do të shpërndajnë shishe uji dhe do të kujdesen për personat e cënueshëm, kryesisht ata të moshës së thyer, pasi temperaturat në Paris mund të arrijnë deri në 47 gradë.

Ndërkohë, edhe Gjermania, Zvicra dhe Belgjika mund të përjetojnë një valë të ngjashme në ditët e ardhshme, por Franca mbetet më e rrezikuara.

Situata po krahasohet me atë të gushtit të vitit 2003, kur thuajse 15 mijë persona humbën jetën. Asokohe, në hapësirën e një muaji temperaturat arritën dhe tejkaluan 44 gradë Celsius më 12 gusht.

Shërbimi meteorologjik francez ka paralajmëruar ndërkohë se temperaturat mund të mos bien deri në fundjavën pasardhëse, me të nxehtin që do të jetë i pranishëm edhe në orët e natës, kur temperatura më e ulët pritet të jetë 20 gradë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!