Franca mposht Uruguain, kalon në gjysmëfinale

schedule17:55 - 6 Korrik, 2018

schedule 17:55 - 6 Korrik, 2018

Franca u bë gjysmëfinalistja e parë e Botërorit. Mundi 2-0 Uruguain me shumë lehtësi, duke u shfaqur si pretendente e madhe për titull.

Ekzistonte frika se pas golit të parë nuk do të kishte duel. Kështu edhe ndodhi, kur Franca kaloi në avantazh ndaj Uruguait në çerekfinale të Kupës së Botës.

Për 40 minuta, amerikanojugorët ishin shfaqur tepër të fortë, kompaktë dhe një rrezik i vazhdueshëm për nënkampionët e Europës, por edhe ata e dinin se do ta kishin të vështirë pas pësimit të një goli. Ishte Raphael Varane që e realizoi këtë rrjetë të çmueshme, për të cilën po luante Franca, dhe kundër së cilës po përpiqeshin uruguajanët.

Përballë një skuadre me nivel shumë të lartë teknik, me shumë energji dhe tepër të shpejtë, Uruguai nuk duhej të pësonte. Nuk ia doli ta shmangte, dhe kjo gjë, në një farë mënyre, vulosi fatin e përballjes, me Francën që u shfaq më pas si një nga pretendentet kryesore për titull. Gjithsesi, u desh goli i dytë që të mbyllte çdo diskutim dhe më pas u duk se u luajt kot në stadiumin e Nizhni Novgorodit.

Pa Cavanin, dhe me potencial më të vogël sesa kundërshtari, uruguajanët u dorëzuan, madje përpara kohe. Antoine Griezmann u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes, ndërsa ka shënuar 7 herë në 6 ndeshjet me eleminim direkt për ekipin e tij. Franca ndjell frikë me efikasitetin e saj, gjashtë gjuajtje në kuadrat në ndeshjet e fundit, gjashtë gola./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!