Franca i pezulloi vizat/ Mentor Nazarko: Pritej, por Kosova ka ende kohë të mbajë premtimet

schedule13:30 - 17 Tetor, 2023

schedule 13:30 - 17 Tetor, 2023

TIRANË- Presidenti i Francës Emmanuel Macron, nga Tirana, u shpreh se vendi i tij ka pezulluar liberalizimin e vizave për Kosovën, me argumentin se nuk ka mbajtur premtimet e dhëna për ndërkombëtarët në lidhje me situatën në veri, por dhe normalizimin e raporteve me Serbinë

Ky vendim u komentua nga analisti Mentor Nazarko në studion e Abc News. Ai tha se kjo masë pritej, pasi një hap i tillë ishte paralajmëruar edhe më parë nga kreu i shtetit francez. Për Nazarkon, Macron, bëri bashkëpërgjegjës jo vetëm Kurtin, por edhe presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

“Mendoj që pritej, sepse Franca e kishte bërë të qartë në një rast shumë solemn, siç është takimi i presidentit me kolegjiumin e ambasadoreve francezë në gjithë botën kur ai kërcënoi se liberalizimi mund të mos ndodhte nëse Kosova nuk i mban premtimet e veta. A i ka mbajtur Kosova premtimet? Këtë e di Franca dhe vetë Kosova. Siç u duk edhe në konferencë për shtyp me z.Rama, Franca mendon se Kosova nuk po i mban premtimet e veta në lidhje me situatën në veri, për depërshkallëzimin e situatës atje, më saktësisht me riorganizimin e zgjedhjeve, me krijimin e institucioneve të reja, dhe me pranimin e Asociacionit plotësisht dhe totalisht. Në fjalën e Presidentit Macron, mund të shquash- po i referohem vetëm pjesën që flet për Kosovën- se ai bën përgjegjës për mos mbajtjen e fjalës së dhënë qoftë presidenten, qoftë kryeministrin. Pra nuk është vetëm Kurti, por edhe Osmani, të cilën Macron e ka takuar personalisht- tha ai.

Teksa tha se ky zhvillim është jo i mirë, Nazarko shtoi se Kosova është ende në kohë të ndryshojë kurs dhe të çojë në vend zotimet që ka marrë para ndërkombëtarëve si dhe mos të bëhet pengesë për familjet, të cilat duan të lëvizin lirisht dhe pa viza në zonën Schengen.

“Kjo është një goditje e rëndë për Kosovën. Ka ende dy muaj kohë që kjo masë të hiqet. Dua të besoj se Kosova e ka mundësinë dhe kohën e duhur që të veprojë për plotësimin e këtyre kushteve dhe ta heqë këtë shpatë të Demokleut që është vendosur mbi fatin e atyre familjeve që duan të lëvizin lirë dhe të takojnë të afërmit e tyre që ndodhen në perëndim, shpatë që izolon vendin; rrit koston e biznesit; dëmton imazhin e vendit”, u shpreh Nazarko.

Por pse Kosova po tregohet më e avashtë për zbatimin e zotimeve të saj, për këtë Nazarko dha këtë mendim:

“Mendoj se Kurti ka dashur të marrë më shumë kohë, në mënyrë që kthesa e qeverisë së Prishtinës, për depërshkallëzim të mos ishte një kthesë e beftë, e menjëhershme- qëndrim me frymëzim të brendshëm elektoral. Duket që Franca ka qenë e prerë. Dua të besoj se ka kohë që Kosova të mbajë premtimet e veta dhe liberalizmi të ndodhë. Mund të mendohej se pas asaj që ndodhi më 24 shtator, se rrethanat për zhvillimin e zgjedhjeve nuk ekzistojnë, mirëpo pala serbe e ka ngrënë presionin francez dhe Vuçiç u ka kërkuar serbëve të përfshihen në zgjedhjet vendore. Ndërkohë që Serbia iu ka imponuar bashkëkombësve të vet që të jenë bashkëpunues, Kosova duhet të bëjë punën e vet të riorganizojë zgjedhjet dhe të tërheqë kryetarët nga institucionet ku janë. Ka hapësirë deri në 1 janar, që Kosova të mbajë premtimet e veta”, përfundoi ai./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!