Franca dënon komentet e Trump pas samitit të G7-s

schedule16:44 - 10 Qershor, 2018

schedule 16:44 - 10 Qershor, 2018

Franca ka kritikuar komentet e Presidentit amerikan, Donald Trump, pas samitit të G7-s dhe ka bërë thirrje për qetësi. Ndërsa Gjermania ka nënvizuar se do të vazhdojë mbështetjen për deklaratën finale të samitit.

Zyra e presidentit francez, Emmanuel Macron, theksoi nevojën për qetësi pas përfundimit të samitit të G7-s në një fiasko në qytetin kanadez të Charlevoix.

Pallati Elize iu përgjigj pyetjeve rreth rezultatit të samitit, pasi Presidenti i SHBA-ve Donald Trump refuzoi të japë mbështetjen e tij për deklaratën e përbashkët, pavarësisht se disa orë më pare ai nënshkroi komunikatën.

Trump, i cili u largua më herët nga samiti, gjithashtu akuzoi kryeministrin kanadez Justin Trudeau se ishte “shumë i pandershëm” në dënimin e tarifave të SHBA.

Zyra e Macron theksoi se Franca dhe Evropa mbajnë mbështetjen e tyre për këtë komunikatë, duke nënvizuar se nuk ka vend për zemërim në qarkun e diplomacisë ndërkombëtare.

“Bashkëpunimi ndërkombëtar nuk mund të diktohet nga ndjenjat e zemërimit dhe vërejtjeve të hapura”, tha Pallati Elze.

“Le të jemi serioz dhe të denjë për popullin tonë, ne bëjmë angazhime dhe duhet t’i mbajmë ato”, tha presidenca franceze.

Ndërkohë, edhe kancelarja gjermane Angela Merkel ka reaguar me kujdes për kthesën e papritur të presidentit amerikan Donald Trump, i cili tërhoqi mbështetjen e tij ndaj deklaratës përfundimtare të G7-ës kanadeze.

“Gjermania mbështet deklaratën përfundimtare të dakorduar”, tha zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!