Specialisti i futbollit, Ermal Tahiri, dhe gazetari Fatmir Mneri analizuan përballjen e gjysmëfinales së Botërorit mes Francës dhe Spanjës në emisionin “Futboll, jo Soccer”, në ABC News.
Tahiri u shpreh kritik ndaj paraqitjeve të Spanjës, duke theksuar se skuadra iberike nuk e ka bindur aq shumë, sidomos me paraqitjen e saj të fundit kundër Belgjikës.
“Nuk më bindi Spanja. Ka qenë gjatë gjithë kohës ekip, më shumë grup, që pavarësisht individualiteteve dhe kualiteteve që ka brenda, nuk kanë dhënë shumë”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, gazetari Fatmir Mneri e sheh Francën si favorite, duke vlerësuar potencialin ofensiv të “gjelave” dhe diferencën mes yjeve të dy skuadrave.
“Në këtë Botëror është larg Mbappé me Yamal. Shoh të favorizuar Francën edhe në këtë aspekt. Vija e parë e Francës është e frikshme, sepse nxjerr situata nga hiçi. Duke parë vijën e parë, Franca të bën ‘gjëmën’, jo më golin”, deklaroi Mneri.
Franca dhe Spanja do të përballen në gjysmëfinalen e Botërorit, në një sfidë që pritet të dhurojë spektakël dhe të përcaktojë finalisten e radhës të turneut.
Kjo superpërballje zhvillohet me 14 korrik nga ora 21:00, në ”AT&T Stadium” në Arlington, në Texas./abcnews.al



