Do të përcaktohet sot finalistja e parë e Kupës së Botës. Franca dhe Belgjika luajnë gjysmëfinalen në Shën Peterburg, dhe francezët jepen favoritë për suksesin.
Një tjetër udhëtim, me shpresë që të jetë i parafundit drejt suksesit.
Franca, favoritja e këtij Botërori, shkoi në Shën Peterburg, për gjysmëfinalen e sotme ndaj Belgjikës.
E mbushur me emra të mëdhenj, dhe me talente që kanë shpërthyer papritur, pas rezultateve pozitive, gjithçka duket e përsosur.
Gjithsesi, 4 lojtarë nuk morën pjesë në stërvitje, përfshi edhe Mbapenë.
“Ne e njohim Belgjikën dhe ata na njohin ne. Veçantia është se shumë lojtarë të mi do të ndeshen me shokë të skuadrave në klubet e tyre. Pra njohja është e plotë dhe ky është një avantazh për të dyja skuadrat. Ne nuk kemi asnjë problem me dëmtimet, 4 lojtarë munguan në stërvitje, por ata janë gati”.
Vlerësim të lartë për Belgjikën nga kapiteni francez, Lloris.
“Mendoj se Belgjika është skuadra më e plotë dhe më e fortë e këtij Botërori. Nuk i mungon asgjë në asnjë repart, ka gjithçka për të qenë një skuadër e madhe, dhe është vërtet një skuadër e madhe. Do të jetë shumë e vështirë, por ne jemi gati. Nuk duam ta humbim këtë mundësi të madhe”.
Belgjika duket më e fortë se kurrë.
Eleminimi i Brazilit ka rritur besimin në maksimum, ndërsa plus është që ekipi ka vetëm një mungesë, mbrojtësin e pezulluar, Meunier.
“Është një mundësi e rrallë për të gjithë ne, për Belgjikën për të shkuar në finalen e Botërorit. Kemi dy vjet që punojmë për këtë qëllim. Do të duhet të përmirësohemi në krahasim me Brazilin në disa aspekte. Mendoj se Franca është e ngjashme me Brazilin, ndaj sfida do të jetë shumë e vështirë”.
Besimin e madh e shpreh edhe ylli i mesfushës, De Bruyne.
“Padyshim që jemi tepër të emocionuar, pasi jemi në prag të gjysmëfinales së Botërorit. Ne besojmë se mund të dalim kampionë të botës, besojmë se e kemi potencialin dhe kemi ambicie, por duhet të vazhdojmë ta tregojmë këtë në fushë, edhe përballë një kundërshtari shumë të fortë si Franca”.
Fitorja e Francës jepet me kuotën 2.5, suksesi i Belgjikës vlerësohet 3.1, dhe barazimi 3.2./abcnews.al