Gjykatësi i padisë së ngritur nga kompania “Dominion Voting Systems” kundër rrjetit “Fox News” për shpifje, njoftoi se palët kanë arritur një marrëveshje për zgjidhjen e çështjes jashtë gjykatës. Gjykata njoftoi shpërbërjen e jurisë në momentin që ishte caktuar të fillonte procedura gjyqësore.
Njoftimi i së martës shmang një gjyq që pritej të zgjaste, lidhur me një çështje që nxori në pah se, rreti televiziv shumë i ndjekur u përpoq të tërhiqte shikues duke përhapur pretendime të rreme për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Njoftimi i papritur erdhi pasi juria ishte ulur në sallë dhe avokatët po përgatiteshin për hapjen e seancës. Një avokat i kompanisë Dominion tha se “Fox News” kishte rënë dakord të paguante shumën prej 787.5 milionë dollarësh. Marrëveshja e propozuar ende ka nevojë të marrë miratimin nga gjyqtari që mbikëqyr çështjen.
“E vërteta ka rëndësi. Gënjeshtrat kanë pasoja”, tha avokati i firmës Dominion, Justin Nelson në një konferencë shtypi pas njoftimit.
Kompania “Dominion Voting Systems”, e cila prodhon pajisje elektronike për numërimin automatik të votave, ngriti një padi për shpifje kundër rrjetit televiziv “Fox News” në vitin 2021, duke kërkuar një dëmshpërblim prej 1.6 miliardë dollarësh. Firma Dominion e akuzoi televizionin “Fox News” se kishte pretenduar në mënyrë të rreme se kompania e makinave të votimit kishte manipuluar zgjedhjet e vitit 2020.
Kompania Dominion e akuzoi rrjetin “Fox News” për dëmtim të reputacionit të saj, përmes transmetimit të pretendimeve të pabaza për pajisjet e votimit, pretendime që e dinte se ishin të rreme, duke thënë se makinat e votimit ndryshuan rezultatin e zgjedhjeve në favor të demokratit Joe Biden dhe shkaktuan humbjen e republikanit Donald Trump./VOA