Fotografoi votën, shpallet në kërkim 54-vjeçari në Vlorë, policia jep detajet

schedule16:02 - 25 Prill, 2021

schedule 16:02 - 25 Prill, 2021

Një 54-vjeçar me iniciale SH.T. është shpallur në kërkim nga policia e Vlorës pasi anëtarët e Komisionit në qendrën e votimit kanë raportuar se ai ka fotografuar votën.

Blutë njoftojnë se pasi është larguar nga qendra e votimit ai i është bllokuar fleta dhe ndaj tij tashmë rëndon akuza për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votës”.

“Më datë 25.04.2021, rreth orës 13:18, është marrë njoftim nga Komisioni i Qendës së Votimit Nr. 4498/1, e cila ndodhet në konviktin e shkollës Industriale “Pavarsia”, pasi nga anëtarët e Komisionit është konstatuar një shtetas që po fotografonte votën e tij.

Me vendimin Nr. 1 të datës 25.04.2021, të Qendrës së Votimit, është kërkuar ndihma e Policisë së Shtetit.

Pas marrjes së vendimit, shërbimet e Policisë së DVP Vlorë kanë hyrë brenda qendrës dhe nga kryerja e veprimeve të para, shtetasi Sh. T., pas rregjistrimit dhe marrjes së fletës së votimit, dyshohet se ka fotografuar votën e tij dhe ky veprim është parë nga anëtarët e Komisionit, por ka mundur të largohej nga qendra e votimit.

Shtetasit SH. T. i është bllokuar fleta e votimit dhe në vijim të veprimeve nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Vlorë u bë shpallja në kërkim policor e shtetasit Sh. T., 54 vjeç, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votës”, njofton policia./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!