Është fotografuar për herë të parë në një galaksi të largët, Vrima e Zezë. E rrethuar nga një unazë zjarri, ajo ndodhet 55 milionë vite dritë larg Tokës dhe është 6.5 miliardë herë më e madhe se Dielli.
Astronomët kanë bërë foton e parë të gropës së zezë, që ndodhet në një galaksi të largët. Perimetri i saj llogaritet në 40 miliardë kilometra, 3 milionë herë më e madhe se përmasat e Tokës dhe është përshkruar nga shkencëtarët me termin “përbindëshi”.
Vrima e zezë ndodhet rreth 55 milionë vite dritë larg planetit tonë dhe është fotografuar nga një rrjet prej 8 teleskopësh në mbarë botën.
Detajet janë publikuar të mërkurën, në një gazetë shkencore dhe janë njoftuar njëkohësisht në 6 konferenca shtypi të mbajtura në Bruksel, Washington, Shangai, Tokio, Taipei dhe Santiago të Kilit. Profesori Hajno Falke, i Universitetit Radbud të Holandës, i cili propozoi dhe eksperimentin, tha për BBC se gropa e zezë është gjetur në një galaksi të quajtur M87.
“Ajo që po shohim është më e madhe se përmasat e tërë sistemit tonë diellor. Ajo ka një masë 6.5 miliardë herë më të madhe se Dielli dhe është ndër gropat e zeza më të rënda që ekzistojnë. Është një përbindësh i vërtetë, kampioni i peshave të rënda i gropave të zeza në univers”, ka deklaruar profesor Falke.
Pamjet tregojnë një unazë zjarri, që rrethon një gropë të rrumbullakët të errët. Rrethi i dritës shkaktohet nga gazi super i nxehtë që derdhet në gropë dhe drita është miliarda herë më e fuqishme se yje të tjerë të galaksisë të marrë së bashku, ndaj dhe mund të shihet nga Toka.
Ekzistencën e vrimës së zezë e kishte parashikuar edhe shkencëtari Albert Ajnshtajn dhe tani përbën një sfidë të re për astrofizikën./abcnews.al