I riu i cili u gjet i pajetë në një kanal fshatin Sulaj të Fierit ishte sulmuar me thikë në fyt.
Policia ka dhënë detaje të reja për vrasjen e 23-vjeçarit tek “Kthesa e Hamilit” . Viktima Florian Selimi, rezulton person me precedent penal për vjedhje.
Nga Tropoja bashkë me familjen para disa vitesh ishte vendosur në Fier. Dhe hetuesit dyshojnë për një hakmarrje që vjen nga ajo zonë. Ishin banorët e zonës ata që njoftuan policinë, pasi kanë parë mjetin tip ‘Renault’ të shkatërruar, me një gomë të hequr dhe kofano e hapur.
Pak metra më larg u gjet edhe trupi i pajetë, kurse në fyt kishte plagë nga goditja e thikës, që ka rezultuar fatale për të. Nga të dhënat e para dyshohet se automjeti që drejtonte i riu ka pësuar defekt, dhe ngjarja ka ndodhur pas një konflikti që mund të ketë pasur mes autorit dhe viktimës. Po ashtu mësohet se i riu e përshkonte çdo ditë këtë rrugë. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave./ABC News Albania 24/7