FOTO/ Shkurt 1959, kur avionët spiunë U-2 të CIA-s fotografonin nëndetëset në Pashaliman

schedule13:00 - 21 Nëntor, 2020

schedule 13:00 - 21 Nëntor, 2020

Në një nga periudhat më të vështira të Luftës së Ftohtë, mes angazhimeve të tjera, amerikanët nuk e kanë lënë jashtë vëmendjes faktin se sovjetikët ishin duke ndërtuar një bazë nëndetësesh në Shqipëri, pikërisht në afërsi të Vlorës.

Në shkurt të vitit 1959, një avion spiun amerikan U-2, i njëjtë me atë të drejtuar nga Francis Gary Powers, që një vit më pas do të rrëzohej nga një raketë mbi territorin e Bashkimit Sovjetik, ka siguruar fotografi të bazës ushtarake – detare të Pashalimanit.

Fotografitë e marra nga lartësi të mëdha, deri në rreth 21 kilometër, ku nuk arrinte asnjë avion tjetër i kohës, janë analizuar me hollësi nga ekspertët e CIA-s, të cilët kanë dalë në disa përfundime.

 

Sipas tyre fotografitë tregojnë një bazë nëndetësesh në ndërtim e sipër, një mol me gjatësi 240 këmbë dhe gjerësi 35 këmbë (73.4 metër me 10.6 m) dhe disa hangare të vegjël… Një mol 360 me 25 këmbë (109.7 m me 7.6 m) që gjendet në anën perëndimore të gjirit…

Ekspertët e CIA-s shkruajnë edhe për një numër ndërtesash, një elektro -central që punon me naftë, korpusin (komandën) ushtarake, atë administrative, të gjitha të shoqëruara edhe me gjatësinë e gjerësinë ekzakte.

Ekspertët dallojnë në fotografitë edhe një anije furnizimi për nëndetëset e klasës “ATREK” si dhe katër nëndetëse të llojit W (Whiskey) të ankoruara në mol.

Gjithashtu ekspertët kanë diktuar edhe dy-tri bateri kundërajrorësh, të kontrolluara nga radari (85-100 mm), dy nga të cilat përmbajnë nga tetë topa secila.

n.d./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!