Një botë mbi patina: Njihni Arty-n, djaloshi që e shëtit Tiranën ndryshe

schedule17:26 - 5 Tetor, 2020

schedule 17:26 - 5 Tetor, 2020

Enkeleda Bodini

Të gjithë e njihni djalin me patina të Tiranës, të cilin me shumë siguri e keni parë rrugëve dhe shesheve të kryeqytetit. Po flasim për Artur Havaljën, i cili njihet dhe si, Arty_Hi. Sot, abcnews.al do ju njohë me historinë e tij dhe pasionin për patinat.

Arty është 23 vjeç dhe përveç se nje patinator shumë i zoti, është  dhe student pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës për IT (Teknologji Informacioni).  Punon prej disa vitesh si programues në një kompani private.

Që fëmijë, Arty ka qenë ndryshe nga moshatarët e tij. Ndërsa shokët loznin me top, ai rendte të gjente pasionin e tij. Vazhdimisht shkonte te tregu i të përdorurave, blinte pajisje të ndryshme dhe i transformonte ato. Një ditë, krejt rastësisht, gjeti në treg një palë patina. Pa e ditur çfarë janë, i mori. Një palë ai dhe një palë kushëriri, të cilin e kishte edhe shok të ngushtë.

Që prej asaj dite, patinat u bënë pjesë e pandarë e ditës së tyre. Dilnin me to, bënin xhiro me to, shkonin kudo me to. Pra, patinat, qenë bërë këpucët e tyre.

Por kjo nuk zgjati shumë, pas disa vitesh, kur Arty dhe kushëriri i tij mbaruan klasën e nëntë, i lanë patinat.

Gjatë periudhës së gjimnazit, patinat për të nuk ekzistonin. Madje as në universitet, deri në vitin e dytë, para se një shok nga klasa ta pyeste me çfarë sporti merrej.

“Me asnjë sport”, i ishte përgjigjur Arty, ndërsa në mendjen e tij i vinin shumë mendime se pse ai nuk po merrej me asgjë përveç shkollës dhe punës.

Ditën tjetër, filloi palestrën, por nuk i ngjiti. Në fakt asnjë sport nuk i ngjiste, përveç patinave. Ndaj, shkoi dhe i bleu. Pasioni e tij që dukej sikur kishte vdekur gjatë kësaj kohe, kishte qenë në fjetje.

Pasi bleu patinat, gjithçka iu kthye, e gjithë çfarë kishte përjetuar fëmijë, kujtimet dhe emocionet.

Për Artyn patinat nuk janë thjesht një pasion, po shumë më shumë. Janë shkollë jete dhe karriere.

“Për mua patinat janë shkollë jete dhe karriere. Dy nga mësimet më kryesore që kam nxjerrë janë, ‘Pa dështime nuk ka sukses’ dhe ‘Nëse nuk je plotësisht i fokusuar te një punë, nuk e bën kurrë mirë’. Këtë e shoh kur jam në patina, ku nëse nuk kam fokusin 100% , rrëzohem”, tha ai për abcnews.al.

Arty nuk është i vetmi që e ushton këtë pasion, pas tij janë dhe një grup i madh me patina, por jo vetëm.

“Ne jemi një grup prej afro 200 vetash, të cilat praktikojmë sporte të ndryshme, duke filluar nga patinat, skateboard deri te bicikleta, muzika etj. Kemi pasione të ndryshme, por ndajmë të njëjtën dashuri për atë që bëjmë. Të gjithë ata që duan të na bashkohen, mund të na kontaktojnë pasi ne jemi të hapur për të na u bashkuar”.

Këtë grup të quajtur “Hi_Skaters”, që rrallë mblidhen të gjithë bashkë, për shkak të angazhimeve të tjera, e shohim tek diku 50 veta, çdo natë pranë Universitetit Politeknik, ku kanë dhe hapësirë për t’u argëtuar.

“Ne jemi bërë bashkë me një qëllim: të kënaqemi, por sigurisht kemi dhe plane për t’u zhvilluar dhe përmirësuar. Mbështetjen nuk e kërkojmë askund dhe nuk na është ofruar, por e gjejmë tek njëri-tjetri”- thotë ai.

Arty është nga ata djem që i duhen këtij vendi, që punojnë dhe duan të arrijnë gjithçka me forcat e tyre. Nga ata djem që pavarësisht sesa i zymtë mund të jetë realiteti, gjithmonë përpiqet të tregojë më të mirën dhe të motivojë të rinjtë si vetja për të marrë më të mirën nga çdo gjë. Në mesazhin e tij për abcnews.al ai tha: “ Nëse je i ri, provo sa më shumë gjëra të reja. Mundohu ta gjesh veten sa më parë, që të punosh për të, sepse gjjithçka nis nga zero dhe është e rëndësishme që në çdo gjë ta marrësh eksperincën herët. Gjithashtu të jesh social, duke ndihmuar të tjerët, sepse do të vijë një moment që të kthehet”.

Të rinj si Arty ka plot në vendin tonë, por janë të patreguar. Nëse i tregojmë, sado pak i kemi mbështetur. Por jo vetëm kaq, histori të tilla janë shembull frymëzimi për rininë dhe për ata që kanë ëndrra dhe pasione, por mendojnë se nuk mund t’i arrijnë. Duhet të dini se çdo gjë arrihet në jetë, mjafton të punosh, të kesh vullnet, durim dhe pasion. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!