TIRANË- Personi që shikoni në këtë foto, është Enejt Shyti, 24- vjeçari që ekzekutoi me armë zjarri Behar Sofinë më 25 shkurt të këtij viti. Fotoja e ‘killer-it’ të Behar Sofisë është siguruar nga gazetarja e ABC, Xhensila Kodra ndërsa i riu u arrestua në Malin e Zi.
Ndërkohë policia ka rindërtuar skemën e vrasjes së Behar Sofisë dy javë më parë në mes të Tiranës pas arrestimit të katër personave si të dyshuar për organizimin dhe ekzekutimin e planit. Siç bën me dije gazetarja Xhensila Kodra për abcnews.al, policia ka nisur zbardhjen e ngjarjes nga disa gjurmë të gjetura në vendin e ngjarjes, të cilat i përkisnin ekzekutorit të dyshuar Enejt Shyti.
Pas identifikimit të Shtytit, policia e ka vënë atë nën përgjim me qëllim zbulimin e personave të tjerë, me të cilët kishte lidhje dhe që mund të kishte organizuar vrasjen. Gjatë përgjimeve u konstatua se Enejt Shyti komunikonte me pjesëtarët e tjerë të grupit që organizuan vrasjen, siç ishin Skënder Vathi dhe Xhuljano Visha duke iu kërkuar paratë për “punën e kryer”.
Policia dyshon se organizatori i ekzekutimit të Sofisë është Skënder Vathi, i cili ka marrë “porosinë” nga persona që nuk janë zbuluar ende nga policia. Vathi ka dalë garant për ekzekutimin e Sofisë duke nisur të kërkojë një person që mund të tërheqë këmbëzën si edhe të tjerët që të bëjnë largimin e tij nga vendi i ngjarjes.
Gjatë kësaj periudhe, siç mëson abcnews.al, Vathi ka kontaktuar me Leonar Xhixhën për të gjetur një person që mund të kryente vrasjen e Behar Sofisë. Ndërkohë, Xhixha komunikon me Xhuliano Vishën, i cili i është shprehur se njihte dikë që mund ta kryente “porosinë” duke folur më pas pikërisht me Enejt Shytin, të cilin e kishte njohur në burg.
Shyti kishte ndenjur disa muaj në burg për vjedhjen e disa fshatin e tij ku edhe është njohur me Xhuliano Vishën.
Organizatorët i kanë premtuar Shytit 50 mijë euro menjëherë pas ekzekutimit të Behar Sofisë duke organizuar edhe mënyrën se si ai do të hynte dhe dilte nga vendi i ngjarjes.
Policia ka zbuluar se armën e krimit, Enejt Shytit ia ka siguruar Skënder Vathi, ndërsa Leonar Xhixha ka bërë të mundur nxjerrjen e tij nga Tirana pas vrasjes.
Behar Sofia u ekzekutua në 25 shkurt në anë të Lanës në Tiranë duke u qëlluar në kokë. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit duke u parë nga një numër i madh kalimtarësh në zonë.
Pas kapjes së organizatorëve, policia është në kërkim të porositësve të vrasjes së Behar Sofisë, i cili ishte arrestuar dhe hetuar më herët për trafik të lëndëve narkotike. /abcnews.al