Policia ka shoqëruar disa persona për vrasjen e një të riu në Maqellarë. Ende nuk dihen shkaqet e këtij ekzekutimi që ndodhi pak pas mesnatës.
Kur 32-vjeçari Elsi Kosiqi po mbyllte portën e oborrit të shtëpisë së tij, dy persona të armatosur i dolën përballë.
Njëri prej tyre shtiu me automatik dhe e la të vdekur në vend. Dy plumba kishin shpuar trupin e 32-vjeçarit dhe policia gjeti dy gëzhoja automatike. Ekzekutimi ndodhi pak pas mesnatës në Maqellarë të Dibrës, aty ku dhe banonte viktima.
Nga të dhënat e para thuhet se Kosiqi, i cili është bashkëpronar me vëllain e tij në një hotel në llixhat e Peshkopisë, sapo ishte kthyer nga Maqedonia.
Ai kishte parkuar makinën dhe po mbyllte portën e shtëpisë. Por autorët mesa duket ishin fshehur në një kanal pranë, dhe i kishin zënë pritë. Policia ka shoqëruar disa persona, midis tyre edhe nga ata që ishin në konflikt me viktimën.
Por ende nuk ka një të dyshuar për krimin. Në zonë janë ngritur pika kontrolli, kurse në vendin e ngjarjes u sekuestruan prova që mund të çojnë në zbardhjen e ngjarjes./abcnews.al