FOTO/ Atentati i dështuar në Elbasan, ja kush janë dy personat e arrestuar

schedule11:46 - 20 Shkurt, 2023

schedule 11:46 - 20 Shkurt, 2023

Tre persona janë arrestura nga policia pasi dyshohet për përfshirje në atenatin e planifikuar në Elbasan. Ata janë Arben Spahiu, Arsen Peçi dhe një person nga Fushë Kruja, identiteti i të cilit ende nuk bëhet me dije. Ky i fundit është nga Fushë Kruja dhe u zbulua pasi në vendin e ngjarjes iu gjet pasaporta. Për shkak të hetimit identititi i tij nuk bëhet i ditur.
Mësohet se Arben Spahiu dhe Arsen Peçi janë arrestuar pas dyshimeve se mjeti i sekuestruar i përket këtyre shtetasve.

Hetuesit kanë dyshimet se kanë qenë disa persona të kontraktuar për të kryer atentatin, të cilët dyshohet të jenë vrasës me pagesë. Pasi të eleminonin objektivin, ata do të digjnin mjetin për të humbur gjurmët. Gjatë kontrolli në automjet, u gjetën 3 armë të llojit kallashnikov, një pistoletë, dhjetëra fishekë si dhe 2 bidona me lëndë djegëse. Ato u gjetën në sediljet e pasme të mjetit luksoz.

Për të bërë të mundur identifikimin e personave që kishin planifikuar atentatin grupi hetimor po bën kqyrjen e kamerave të sigurisë në zonën ku u gjet makina e parkuar,
Në këtë zonë jetojnë të afërmit e të arrestuarit Erion Alibejt, i cili akuzohet për vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Ai u arrestua në Elbasan, në shtator të vitit 2020, pas këtyre dy ngjarjeve kriminale.

LEXO EDHE: Atentati i dështuar në Elbasan, sekuestrohen 3 kallashnikovë e e pistoleta. Dy në pranga

Vëllai i tij, Endrit Alibej, mbeti i vrarë se bashku me 2 persona të tjerë, në atë që njihet masakra e Bradasheshit, në dhjetor të 2018-ës. Në këtë atentat mbetën të vrarë gjithashtu, kushëriri i Alibejt, Arben Dylgjeri, dhe shtetasi turk Erdal Durunay.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të operacionit, Policia kap dhe vë në pranga 2 shtetasit që dyshohet se janë të përfshirë në rastin e parandaluar nga Policia.

Në nisje të operacionit, një ditë më parë, Policia gjeti dhe sekuestroi 4 armë zjarri (3 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), 2 bidona me lëndë djegëse (benzinë) dhe një automjet, që dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e këtij krimi.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, bazuar në informacionet e siguruara përmes inteligjencës policore, për një ngjarje të mundshme kriminale, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Inteligjenca”.

Në kuadër të operacionit u ngritën pika të shumta kontrolli dhe u ushtrua kontroll në ambiente të ndryshme të cilat dyshohej se shërbenin për fshehjen e sendeve dhe mjeteve me të cilat mund të kryheshin veprimtari kriminale.

Pas kontrollit në terren, në lagjen “Emin Matraxhiu”, në zonën e quajtur “Ish-konservimi”, shërbimet e Policisë gjetën një automjet tip “BMË X6”, brenda të cilit u gjetën 3 armë zjarri kallashnikov dhe 2 bidona me lëndë djegëse (benzinë). Gjithashtu, në afërsi të një koshi mbeturinash, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një çantë, brenda së cilës kishte një armë zjarri pistoletë.

Personat e dyshuar, për shkak të presionit policor në terren, fshehën automjetin me të cilin qarkullonin, armët e zjarrit, bidonat me benzinë dhe mjete të tjera me të cilat do të kryenin krimin.

Në vijim të veprimeve hetimore të thelluara, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, në kuadër të operacionit policor “Inteligjenca”, janë arrestuar në flagrancë shtetasit:

A. S., 53 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”;

A. P., 44 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Mbajtja dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Për hetimin e thelluar të këtij rasti është duke punuar një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistët më të mirë të hetimit të krimit të DVP Elbasan, specialistët e Drejtorisë për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale dhe ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor, identifikimin dhe kapjen e të gjithë personave të përfshirë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.r.t/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!