Një alarm për bombë në Skopje City Mall në Shkup ka bërë që autoritetet të kërkojnë evakuimin e menjëhershëm të qendrës së njohur tregtare në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.
Alarmi është dhënë pas një telefonate anonime që ka njoftuar se në qendrën tregtare gjendet një bombë gati për të shpëthyer.
Fill pas telefonatës, administrata e qendrës tregtare ka njoftuar policinë e cila ka zbarkuar për pak minuta aty duke nxjerrë jashtë klientët si edhe stafin.
Deri më tani nuk është gjendur ndonjë mjet shpërthyes, ç’ka nuk konfirmon ende nëse bëhet fjalë për një ngjarje të vërtetë apo alarm fals.
Gazetarja Xhumadije Ibrahimi bën me dije për abcnews.al nga Shkupi se qendra tregtare vijon të jetë e mbyllur pasi policia po bën kërkime për të zbuluar nëse ka ndonjë mjet shpërthyes.
Pritet që policia të japë një informacion më të plotë gjatë mbrëmjes në lidhje me ngjarjen në fjalë. /abcnews.al