Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në Forumin e Zgjerimit të mbajtur në Bruksel.
Një forum me rëndësi strategjike për të ardhmen e Europës, ku Shqipëria ka angazhimin e saj të palëkundur drejt familjes europiane.
Gjatë fjalës së tij kryeministri Rama tha se rrugëtimi drejt integrimit ka qenë një rrugëtim i gjatë.
“Vetëm për 14 muaj kemi hapur të gjithë kapitujt dhe kemi vendosur veten në krye të Bllokut të Ballkanit perëndimor”, u shpreh Rama.
Pjesë nga fjala e kryeministrit Rama;
Për ne BE-ja është ende sot ajo që ajo qenë për etërit themelues, është kaq e thjeshtë. Një ide e çmendur ndoshta në atë kohë, një ide revolucionare, që armiqtë të lashtë të bëheshin partnerë, që sovraniteti të bëhej një dhe të ndahej për të mirën e përbashkët, që paqja të ndërtohej jo mbi dominim, por mbi bashkëpunim dhe solidaritet në të njëjtin qiell të lirisë dhe dritën e demokracisë dhe pavarësisht dyshimeve, e pengesave ideja ia doli mbanë dhe projekti u shndërrua në Bashkimin Europian, modeli më vizionar i integrimit paqësor në historinë e njerëzimit.
Jo shumë kohë më parë, – nuk e di çfarë është në këtë faqe, që dhe qenka kaq e turpshme që të dalë, – 6 dekada e gjysmë më vonë, kjo vazhdon të jetë e vërtetë, mbetet e vërtetë. Askush nuk ka ndërtuar asgjë të ngjashme dhe askush nuk do të ndërtojë diçka të ngjashme, prandaj më mirë të jesh pjesë e saj. Kjo është ajo që mendojnë, duan dhe do të bëjnë shqiptarët, çfarëdo që të duhet për ta arritur, sepse ne kemi mësuar me vështirësi se paqja është e vetmja betejë që ia vlen të zhvillohet dhe se rruga e etërve themelues është e vetmja rrugë që ia vlen të ndiqet.
Pra, jo shumë kohë më parë, fjala zgjerim ishte thuajse e ndaluar në fjalorin e BE-së dhe për mua ajo mbante erën e tradhtisë ndaj vetë arsyes për të cilën u vu në lëvizje Bashkimi Europian, sepse për mua zgjerimi përmban përgjigjen më të fuqishme ndaj kësaj pyetje. Çfarë është Bashkimi Europian? – Për çfarë qëndron ai?
Dhe le t’i rendis këtu 5 të vërteta të thjeshta;
Ribashkimi shëron plagët historike, ribashkon ose rikthen lidhjet e kombeve të ndara me forcë, rikthen identitetin europian të atyre që u mbajtën jashtë me dhunë, jo me zgjedhje, Franca dhe Gjermania dikur na mësuan të gjithëve ne se si armiqtë mund ta rindërtojnë besimin dhe zgjerimi vazhdon me të njëjtën trashëgimi, ndërprerja e saj do të ishte tradhti ndaj vetë BE-së.
Së dyti, ribashkimi zgjeron zonën e paqes. Në fakt, qëllimi themelor i BE-së është paqja, çdo zgjerim ka zgjeruar, jo vetëm gjeografinë e Bashkimit Europian, por në fakt, gjeografinë e stabilitetit të demokracisë dhe sundimit të ligjit dhe është e qartë se Europa do të jetë më e lirë, më e sigurt, atë ditë që BE-ja nuk do të ketë më vetëm dy kufi, kufirin e jashtëm dhe kufirin e brendshëm që rrethon dhe ndan vendet e Ballkanit Perëndimor nga pjesa tjetër.
Së treti, ribashkimi përmbush një premtim të vjetër për ata që luftuan për liri, që pranuan demokracinë me kurajë, Europa ishte fener, feneri i vërtetë dhe ky ishte mesazhi i Selanikut në vitin 2003. Pra, thjesht imagjinoni për pak çaste, për një çast të vetëm, shtetet baltike dhe Poloninë sot jashtë Bashkimit Europian apo jashtë NATO-s, por ky premtim i vjetër duhet mbajtur plotësisht dhe mos mbajtja e tij, duke na mbajtur ne vendet e Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së, do të thotë që jo vetëm luan me zjarrin, por që tashmë po digjet ky zjarr në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian dhe në atë zjarr të djegësh edhe vetë autoritetin etik të BE-së.
Së katërti, ribashkimi çliron prosperitet, sjell prosperitet, po zgjerimi nuk është vetëm politik, është edhe ekonomik. Anëtarët e ri zgjerojnë tregun, sjellin dinamizëm, novacion, energji rinore dhe Ballkani Perëndimor, për të mos thënë Shqipëria dhe Mali i Zi, si fillim, nuk janë barrë aspak, përkundrazi, ne sjellim burime, pozicion, popullsi, energji, pasuri, asete për të ardhmen e Bashkimit Europian dhe në fund, por jo më pak nga rëndësia, sjellim një buzëqeshje të madhe në fytyrën shumë shpesh të zymtë të Bashkimit Europian, jo keq, aspak keq. Imagjinoni pak një Bashkim Europian që buzëqesh çdo mëngjes, çdo ditë në mëngjes.
Së pesti, zgjerimi funksionon sa herë BE-ja ka ftuar anëtarë të rinj në klubin e saj, përfitimet kanë tejkaluar frikën. Çdo herë ka ndodhur kjo, shifrat e tregojnë qartë, faktet e ilustrojnë këtë gjë dhe nuk ka as edhe një arsye të vetme që të besojmë që gjërat do të jenë ndryshe tashmë, përkundrazi, sa më shpejt të ndodhë, aq më mirë do të jenë për BE-në.
Dhe më lejoni të vazhdoj, duke prerë litarin dhe duke shtuar, Po na duhet përgjigja. Ne nga ana jonë për të gjithë ata që thonë: Nuk funksionon me 27, e si do të funksionojë me 29? Si mund të funksionojë me 33 apo 35, me të gjitha vetot që ata kanë, me të gjithë komisionerët e tyre që do të sjellin? Po e vërtetë, po ta shohim nga ky kënd nuk mundet të funksionojë, por ne mund ta bëjmë të funksionojë, nëse e vëmë BE-në të parën. Në radhë të parë dhe lëmë mënjanë egot tona kombëtare, pa veto, pa komisioner për ne, as veto, as komisioner. Pra, si ju duket? E realizueshme është kështu që, le të flasim për këtë gjë, ta diskutojmë.
Të dashur miq planeti ynë rrotullohet në një drejtim, por jo bota. Bota është e ethëzuar, e trazuar, e paparashikueshme gjithnjë e më shumë. Të mendosh se gjërat do t’i kthehen ndonjëherë normalitetit të vjetër është një iluzion i rrezikshëm. Të vepruarit mbi bazën e këtij iluzioni është edhe më e rrezikshme dhe thjeshtë rrit dhimbjen e zgjimit të pashmangshëm. Demokracia është në tërheqje, demagogjia po ecën përpara në marshim, të drejtat e njeriut janë nën sulm, sistemi ynë po vihet në provë, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda, po grumbullohen re dhe stuhi gjeopolitike, jo vetëm që Europa e ndarë është më e dobët, më e cënueshme ndaj presionit, manipulimit dhe ndikimeve të liga, por duket më tepër si një pre e dëshiruar për agresorët dhe spekulatorët, sesa një konkurrent i fortë në lojën e re të fuqive të mëdha. Ribashkimi përmes zgjerimit është përgjigja më strategjike e Europës, është thelbi i autonomisë strategjike europiane.

