Forumi i kryebashkiakëve, Rama: Asnjëherë më shumë se sot nevojë për bashkëpunim në rajon

schedule14:41 - 25 Tetor, 2019

schedule 14:41 - 25 Tetor, 2019

Asnjëherë më parë se tani, sipas kryeministrit Edi Rama nuk ka dalë në pah nevoja për bashkëpunim mes vendeve të rajonit. Shefi i qeverisë e bëri deklaratën në Forumin e kryebashkiakëve të vendeve 17+1, ku foli për kthimin e rajonit tonë nga një zonë konflikti, në një hapësirë bashkëpunimi.

Nëse për të tjerët bashkëpunimi me Kinën është një mundësi për financime kryeministri shqiptar Edi Rama fillimisht ka një tjetër synim.

“Unë besoj shumë fort që në radhë të parë, urat e bashkëpunimit me Kinën janë ura që sjellin dije dhe përmes të cilave mund të këmbehen eksperienca dhe të transferohen dije, të cilat më pas kthehen edhe në përfitim për vendet, për qytetet, për komunitetet”, tha Rama.

Me Kinën në fjalën përshëndetëse në forumin e kryetarëve të bashkive të kryeqyteteve të vendeve të nismës 17+1  kryeministri Rama përparësi i dha dhe zhvillimit të turizmit.

Ndërkohë pa me rëndësi praninë në takim të kryebashkiakëve nga Ballkani Perëndimor.

 “Është një periudhe kohe në historinë tonë të përbashkët, ku ka dalë më shumë se asnjëherë në pah, qoftë nevoja, por qoftë edhe potenciali i jashtëzakonshëm i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit. Përpara disa javësh, ne bëmë një deklaratë të përbashkët me Presidentin e Republikës së Serbisë dhe Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në funksion hapjes e së një faqeje të re në historinë e rajonit, bazuar në katër liritë e Bashkimit Europian; lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve. Një nismë gjithëpërfshirëse, që do të shkojë më tutje me takimin e Ohrit në datën 10 nëntor, ku janë të ftuar të gjithë liderët e rajonit dhe jo vetëm kaq, por edhe protagonistë të tjerë, partnerë ndërkombëtarë në procesin e transformimit të kësaj hapësire ku jetojnë nga një zonë konflikti në një hapësirë bashkëpunimi”, tha Rama.

Në të njëjtën linjë me kryeministrin Edi Rama ishte dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

“Shoh këtë si një mundësi fantastike jo vetëm për  rritur bashkëpunimin me Kinën, por edhe për të rritur bashkëpunimin me  njëri-tjetrin, Tiranës me Shkupin, Tiranës me Podgoricën, me Beogradin, Sarajevën, të Tiranës me qytete të tjera që ndoshta na mësojnë që nuk ia vlen të shpikim rrotën nëse diçka po funksionon perfekt në ato vende”, tha Veliaj.

Forumi “17 + 1” në nivel kryetarë bashkish është një nismë e Kinës e cila synon të rrisë dhe zgjerojë bashkëpunimin me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në fushën e investimeve, transportit, financave, shkencës, arsimit dhe kulturës./ABC News Albania