Formulari i vetëdeklarimit për efektivët/ Balla: Jemi ende larg objektivit të policisë si institucioni më i besuar. Ata që gënjejnë do t’i kapë çarku

schedule10:27 - 20 Qershor, 2024

schedule 10:27 - 20 Qershor, 2024

Drejtori i Përgjithshëm i policisë, Muhamet Rrumbullaku urdhëroi thellimin e procesit të verifikimit të integritetit të efektivëve. Procesi i vetëdeklarimit do të zgjasë deri në fund të qershorit.

I pyetur për këtë, ministri i Brendshëm Taulant Balla tha se jemi ende shumë larg arritjes së objektivit të policisë si institucioni më i besuar në vend, ndërsa shtoi se “kush gënjen do t’i kapë çarku”.

“Do bëjmë gjithçka që ka të bëjë me synimin tonë themelor, të garantojmë që çdo qytetar të ketë besim te policia e shtetit dhe forcimi i këtij besim lidhet me përpjekjet tona për të çuar më tej procesin e vetëpastrimit të policisë. Ka të bëjë me përpjekjet tona për paga më të mira dhe trajtim më të duhur financiar por edhe punonjësit duhet të kuptojnë që gjithçka që kemi kërkuar, që lidhet me zbatimin e kodit etik, që lidhet me sjelljen e duhur.

Janë 14 milionë qytetarë të huaj që vizitojnë Shqipërinë dhe mjafton një sjellje jo e duhur e një punonjësi për ta shkatërruar të gjithë punën që bëhet nga ana e policisë. Të gjithë duhet ta themi me zë të lartë që rezultatet e deritanishme janë rezultate që meritojnë respekt por e dimë që jemi ende shumë larg asaj që duhet të jemi si objektiv për ta çuar policinë si institucioni më i besuar. Prandaj të gjithë përpjekjet që bëhen kanë të bëjnë pikërisht për ta forcuar gardhin dhe kontrollin që lidhen me sjelljen e punonjësve të policisë. Besoj që historia ka treguar se kur vetëdeklarimi ndërlidhet me faktin pastaj bie në kurth. Ata që gënjejnë do t’i kapë çarku.”, tha Balla./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!