ABC NEWS zbardhi sot formulën e PS-së që propozoi në Këshillin Politik si do të bëhet shpërndarja e deputetëve tashmë me lista të hapura. Thelbi i propozimit ishte i qartë, listat hapen 100%, por fituesit i cakton kryetari i partisë. Në një lidhje me Skype me studion e Abc News, përfaqësuesi i PS-së në Këshillin Politik Damian Gjiknuri sqaroi konkretisht propozimin.
“Mjegulla e fillimit. Edhe spekulohet. Në të gjitha vendet që ka proporcional rajonal, ka një listë partie, se zgjedhësi zgjedh edhe partinë edhe kandidatin. Natyrshëm që ka një renditje dhe renditja, është që ai që konkurron dhe pavarësisht se mund të jetë renditur poshtë listës së kandidatëve, nëse arrin një peshë të caktuar, sa mesatarja e votës që ka marrë partia, zgjidhet deputet.
Pse është kjo? Sepse kur kandidon merr edhe dividentin e partisë, se nuk ke dalë si emër, por si pjesëtar i forcës politike. Por është elektorati që voton për partinë, kush nga këta janë më me peshë që mund të thyejnë renditjen. Unë si zgjedhës mund të zgjedh “X” kandidat, siguron stabilitetin e listës, por edhe i peshon të gjithë”.
Por kush janë kriteret e përcaktimit të kandidatëve në listë? Përfaqësuesi i PS-së në këtë pikë ishte i qartë kur tha se kriteret janë në dorën e kryetarit të partisë. “Patjetër që drejtuesit e partive i përcaktojnë kriteret. Keni gjetur ndonjë model ku nuk i zgjedh partia kandidatët? Ndryshe do të kishim një zonë, kandidon si individ, krijon një strukturë dhe zgjidhu. Por nuk mund të vish në siglën time dhe thua unë përfaqësoj gjithkënd. Ky element siguron 100% hapje dhe i jep integritet listës së partisë” tha Gjiknuri.
Por përse duhet të votohet vetëm një person në listë? “Kjo cështje është teknike, kodi përcakton parimet. Zgjedhësi ka një votë për partinë dhe një për individin, e ka në dorë ai të zgjedhë, partinë, individin, ose njërën. Cështja tjetër është teknike.
Ne kemi menduar një proces të thjeshtë, një voto preferenciale, ne po bëjmë një eksperiment të madh. Për herë të parë po hapen listat dhe nuk dimë sfidat nga pikëpamja administrative. Sistemin duhet ta mbajmë të thjeshtë, pasi dalin shumë vota të pavlefshme. Shiko në Kosovë sa probleme ka me listat e hapura. Kjo mund të ndryshohet prapë” tha ai.
Kjo lloj formule në zona të caktuara eliminon garën. Konkretisht nëse në Durrës, apo Vlorë kandidon Edi Rama, praktikisht nuk do të kishte garë, pasi kryetari i partisë do të merrte thuajse shumicën absolute. Por cfarë do të ndodhë në këtë rast? “Interesante. Edi Rama do të merrte 98% dhe ty do të qëllonte që një deputet të zgjidhej me 200 vota, por a është normale kjo? Asnjë sistem nuk është perfekt” tha Gjiknuri.
Në fund, përfaqësuesi i PS-së e pranoi se kjo lloj formule e listave të hapura do të shkaktojë edhe “një luftë brenda llojit” përfundoi ai. db/Abcnews.al