Kosova do të mbajë zgjedhjet e dyta për krijimin e qeverisë pas atyre të 9 shkurtit të cilat krijuan një krizë politike në vend.
Kandidati për deputet i PDK Genc Prelvukaj ka deklaruar se PDK pritet të shënojë rritje të mjaftueshme për të formuar qeverinë në bashkëpunim me partitë opozitare. Prelvukaj ka theksuar se shqetësimi kryesor i qytetarëve mbetet ekonomia, për shkak të inflacionit të lartë dhe rritjes së kostos së jetesës.
“Duket qartë që ne kemi shënuar rritje të konsiderueshme, mirëpo si epilog pritet të shihet numri i daljeve në zgjedhje. Për këtë arsye edhe media duket më e heshtur, sepse nuk dihet shkalla e abstenimit të njerëzve, pasi ka një lodhje dhe zhgënjim nga partia që është në pushtet. Po takojmë njerëz që janë të ftohtë ndaj këtij procesi, sepse janë lodhur.
Mendoj që PDK do të rritet mjaftueshëm sa për të formuar qeverinë në bashkëpunim me formacione të tjera politike opozitare, që kanë qenë të barrikaduara si PDK ndaj një pushteti që nuk ka krijuar asgjë. Shqetësimi kryesor i qytetarëve në përgjithësi është tek ekonomia, sepse ka një shkallë të lartë të inflacionit dhe po thellohet çdo ditë e më shumë. Kostoja e jetesës është bërë shumë e vështirë. Mendoj që tema kryesore e këtyre zgjedhjeve është çështja ekonomike dhe ndaj kemi zgjedhur për kryetar partie një ekonomist të zoti për këto probleme që pritet të rriten.” / abcnews.al /

