Në të vërtetë kontrolle kufitare në hapësirën Shengen, nuk duhet të ketë. Por mjaft shtete anëtare ose anëtare të BE-së i kanë zgjatur masat e kontrollit në kufi, kundër dëshirës së Komisionit Europian.
Me kontrolle të përbashkëta autoritetet në Austri dhe Gjermani po përforcojnë gjithnjë e më shumë veprimet kundër krimit dhe emigracionit të paligjshëm. Policia federale austriake dhe ajo gjermane si dhe policia e landit të Bavarisë kanë nisur për herë të parë që nga 1 qershori kontrollet me patrulla treshe në zonën kufitare mes të dy vendeve. Policia federale austriake dhe ajo gjermane duan të zhvillojnë kontrolle të përbashkëta edhe në vendkalimin kufitar Austri-Itali Brenner/Brenero. Një bilanc i parë i këtyre aksioneve të përbashkëta do të bëhet pas tre muajsh.
Sidomos në zonat kufitare është e rëndësishme të koordinohen masat në mbarë vendin, tha zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë Federale në Mynih, Thomas Borowik, lidhur me fillimin e kontrolleve. Kufitarët do të kontrollojnë intensivisht sidomos trenat e mallrave. “Ne duam t’i parandalojmë në një fazë të hershme hyrjet e rrezikshme ilegale me trena mallrash që të parandalojmë aksidentet”, tha Borowik. Udhëtarët ilegalë fshihen kryesisht midis rimorkiove ose në rimorkiot e kamionëve që kalojnë Brennerin.
Më pak përpjekje për kalim ilegal të kufirit
Në vitin 2017 në trenat e mallrave në zonën e Mynihut u gjetën rreth 1000 refugjatë. Por në kufirin gjermano-austriak po vihet re një rënie e numrit personave që hyjnë ilegalisht: në vitin 2017 në Gjermani u përpoqën të hyjnë në mënyrë ilegale rreth 14,600 vetë dhe më shumë se 7.200 syresh iu refuzua kërkesa për azil. Në katër muajt e parë të këtij viti, ka pasur rreth 3.800 persona që kanë hyrë ilegalisht dhe pothuajse 2.100 kërkesa të refuzuara.
Në zonën Schengen të 26 vendeve evropiane kontrollohen zakonisht vetëm kufijtë e jashtëm. Por që nga kriza e refugjatëve në vitin 2015, Gjermania dhe vendet e tjera kanë rivendosur kontrollet në kufijtë e tyre të brendshëm. Kundër dëshirës së Komisionit Evropian, këto kontrolle do të vazhdojnë nga muaji maj edhe për gjashtë muaj
Arsyet që japin shtetet si Gjermania, Austria, Franca, Danimarka, Suedia apo Norvegjia, që nuk është anëtare e BE-së, janë kalimi pa leje i refugjatëve nga një shtet në shtetet e tjera të Shengenit dhe kërcënimi nga terrori. Ndryshe nga rasti i krizës së refugjatëve, Komisioni i BE-së nuk mund t’i ndalojë kontrollet e argumentuara me kërcënim nga terrori. / DW