Forcat izraelite vrasin pesë militantë në Bregun Perëndimor

schedule15:56 - 29 Gusht, 2024

schedule 15:56 - 29 Gusht, 2024

Ushtria izraelite tha të enjten se vrau pesë militantë në Bregun Perëndimor, ndërsa kryente operacione kundër terrorizmit për të dytën ditë radhas. Forcat izraelite i vranë militantët brenda një xhamie ku ata ishin fshehur në qytetin e Tulkaremit, tha ushtria.

Forcat Izraelite të Mbrojtjes identifikuan një nga militantët si Mohammed Jaber, një komandant i grupit Xhihadi Islamik dhe thanë se ai kishte qenë i përfshirë në sulme të shumta ndaj izraelitëve.

Forcat izraelite vranë të paktën nëntë persona të mërkurën gjatë bastisjeve dhe sulmeve ajrore në qytetin e Jeninit dhe rreth tij. Grupi militant Hamas tha se10 nga luftëtarët e tij u vranë.

Trupat izraelite dhe kolonët kanë vrarë më shumë se 640 palestinezë në Bregun Perëndimor që nga fillimi i luftës në Gaza tetorin e kaluar, ndërsa sulmet palestineze kanë vrarë të paktën 19 izraelitë.

Forcat izraelite kanë kryer vazhdimisht bastisje në Bregun Perëndimor, duke thënë se synimi është parandalimi i sulmeve të mundshme.

Hamasi i ka quajtur sulmet pjesë të një plani më të madh për të zgjeruar luftën në Gaza dhe duke fajësuar për përshkallëzimin, mbështetjen e SHBA-së për Izraelin.

Nabil Abu Rudeineh, një zëdhënës i Presidentit të Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas, i dënoi sulmet si një “përshkallëzim serioz” dhe u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të ndërhyjnë.

Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit dënoi të mërkurën në një deklaratë atë që e cilësoi si “dhunë ekstremiste nga kolonët (hebrenj) në Bregun Perëndimor”.

“Ajo shkakton vuajtje të mëdha njerëzore, dëmton sigurinë e Izraelit dhe minon perspektivën për paqe dhe stabilitet në rajon”, thuhet në deklaratë. “Është kritike që qeveria e Izraelit të mbajë përgjegjës çdo individ dhe entitet përgjegjës për dhunën kundër civilëve në Bregun Perëndimor”.

SHBA shpalli të mërkurën sanksione ndaj organizatës joqeveritare izraelite Hashomer Yosh, e cila, sipas zyrtarëve të Departamentit të Shtetit, pengoi kthimin e banorëve palestinezë në vendbanimet e tyre në Bregun Perëndimor në fillim të këtij viti.

Zyra e Kryeministrit Benjamin Netanyahu reagoi duke thënë se “Izraeli e dënon fuqishëm vendosjen e sanksioneve ndaj qytetarëve të Izraelit. Kjo çështje po diskutohet me forcë me Shtetet e Bashkuara”.

Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor, Gazën dhe Jeruzalemin lindor në luftën e vitit 1967 në Lindjen e Mesme. Palestinezët duan që të treja territoret të jenë pjesë e një shteti të ardhshëm të tyre.

Qytetarët izraelitë kanë ndërtuar shumë vendbanime në të gjithë Bregun Perëndimor, ku aktualisht banojnë mbi 500,000 kolonë hebrenj. Ata kanë shtetësi izraelite, ndërsa 3 milionë palestinezë në Bregun Perëndimor jetojnë nën kontrollin ushtarak izraelit dhe Autoriteti Palestinez ushtron kontroll të kufizuar./voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!