Forcat e sigurisë, Beogradi presioni serbëve në Kosovë

schedule13:10 - 4 Korrik, 2018

schedule 13:10 - 4 Korrik, 2018

Në Kosovë vijon presioni i Beogradit ndaj komunitetit serb. Kadetë të shumtë të Forcave të Sigurisë së Kosovës, po detyrohen të paraqesin kërkesa për dorëheqje, pas kërcënimeve që kanë marrë se mund të burgosen, apo se mund t’i ndodhë ndonjë gjë familjeve të tyre.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe njohësit e zhvillimeve politike e kanë dënuar presionin e Serbisë ndaj pjesëtarëve serbë të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët kanë nisur të parashtrojnë kërkesat për largim nga kjo forcë. Për shkak të presionit të Beogradit 8 kadetë nga rajoni i Gjilanit kanë parashtruar kërkesa të tilla.

Lidhur me këto zhvillime, Ministria e Forcave të Sigurisë së Kosovës do të vendosë në gjashtë muajt e ardhshëm. Presionet e Serbisë ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së janë shpeshtuar në muajt e fundit, fillimisht me paraburgimet në vendkalimet kufitare me Serbinë, e më pas edhe me deklaratat e autoriteteve serbe se ata rrezikojnë deri në 10 vite burg, për shkak të pjesëmarrjes në formacionet e huaja të armatosura. Janë shënuar edhe disa raste të sulmeve me koktej molotovi ndaj pronës së këtyre pjesëtarëve. Për këtë situatë, zëvendësministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, bën të ditur se janë njoftuar të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë edhe NATO-n.

Ai shton se tashmë është e qartë që, siç i ka quajtur ai, politikave të vjetra të Serbisë u dhemb në mënyrë të jashtëzakonshme integrimi i serbëve në institucionet e Kosovës dhe besimi i tyre ndaj këtyre institucioneve. Zëvendësministri Ramadani gjithashtu thotë se mbi 5 për qind e pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës, i takojnë bashkësisë serbe. Në muajin Shkurt të këtij viti, në Zubin Potok, komunë kjo në veri të Kosovës, janë parë afishe, në të cilat në mënyrë të hapur kërcënohen pjesëtarët serbë të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Ky presion i Serbisë vjen për të penguar shndërimin e FSK-së në ushtri, gjë të cilën nuk mund ta bëjë pa mbështetjen e politikanëve serbë në Kosovë. Për momentin ky grupim politik kundërshton një veprim të tillë, megjithatë, Beogradi kërkon të sigurohet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!