Shqipëria po shndërrohet në një prej destinacioneve më të kërkuara të Mesdheut. Vendi këtë herë është lakuar si një atraksion i ri turistik nga media prestigjioze Forbes, që sipas saj Mesdheu deri më tani ka promovuar destinacione te arta por të vjetra si Kapri, San Trope’, Mikonos apo Ibiza.
“për shumë vite Shqipëria ka qëndruar në hije për shkak të izolimit politik dhe mungesës së infrastrukturës, por që sot po ngjall interes të madh mes udhëtarëve ndërkombëtarë”, vijon artikulli.
E vendosur mes Greqisë dhe Malit të Zi, me një vijë bregdetare të gjatë buzë detit Jon, vendi po tërheq gjithnjë e më shumë turistë për shkak të plazheve të paprekura, çmimeve të përballueshme dhe mikpritjes karakteristike, shkruan ndër të tjera Forbes.
Sipas Forbes, Riviera Shqiptare është zemra e këtij zbulimi të ri mesdhetar. Përmen Ksamilin, Palasën ku janë ndërtuar edhe struktura pritëse moderne për turistët, teksa shton se në Dhërmi e Jalë dominon një atmosferë më rinore dhe e gjallë, ku verës mbahen festivale dhe netë të gjata me muzikë.
Ndërkohë, për ata që kërkojnë qetësi dhe natyrë të paprekur, Forbes sugjeron Gjipe-n – një plazh i izoluar mes shkëmbinjve që mund të arrihet në këmbë ose me varkë. Pa hotele, pa rrugë të asfaltuara, dhe pa shezlongë me qira, Gjipeja përfaqëson ende Shqipërinë e egër dhe autentike.
“Çfarë e bën Shqipërinë ndryshe është ajo që mungon”, vijon artikulli duke shtuar se nuk ka ende turma turistesh apo çcmime të kripura sin ë destinacionet më popullore europiane. Në vend të kësaj, ofrohen pjata të bollshme me ushqim tradicional, raki e verë vendase dhe një mikpritje që nuk blihet me para.
Megjithatë, Forbes paralajmëron se kjo qetësi nuk do të zgjasë shumë. Aeroporti i ri ndërkombëtar në Vlorë, që pritet të hapet së shpejti, do të rrisë ndjeshëm fluksin e turistëve, ndërsa markat e njohura të hoteleve tashmë po interesohen për të investuar në vijën bregdetare shqiptare. Ndaj, revista amerikane ka një thirrje për turistët: nëse jeni kuriozë për një pjesë të Mesdheut që ende ndihet si një zbulim – me përzierjen e saj të qyteteve të vjetra, maleve të egra dhe vijës bregdetare që nuk është gëlltitur nga zhvillimi – Shqipëria ia vlen të vizitohet tani!