Fondi i garancisë së kredive rurale, Gjermania jep 5 milionë euro

schedule13:55 - 25 Shtator, 2018

schedule 13:55 - 25 Shtator, 2018

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi dhe ambasadorja gjermane e akredituar në Tiranë, Susanne Schütz kanë nënshkruar marrëveshjen mbi Fondin e garancisë së kredive rurale, për të lehtësuar kreditimin dhe financimin e fermerëve shqiptare.

Kredi më të mëdha dhe me afate maturimi më të gjata për fermerët shqiptarë. Këtë parashikon marrëveshja dypalëshe Shqipëri–Gjermani. Sipas ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, ky është një lajm i mirë kryesisht për ata që kanë ferma të vogla.

“Programi i parë ka patur vlerën rreth 3 milionë euro, kanë përfituar 1000 fermerë, ndërsa ky program ka një vlerë më të madhë rreth 5 milionë euro. Krahasuar me totalin e buxhetit apo mbështetjes buxhetore të programeve të tjera siç është IPARD-i, duket sikur është një shumë modeste, por më fakt, fokusi i këtij programi bën që numri i përfituesve të jetë shumë i lartë. Ne presim të që të kemi mbi 1000 fermerë përfitues”, u shpreh Peleshi.

Si rrjedhojë me ndihmën e Fondit të Garancisë do të krijohen vende të reja pune në sektorin e bujqësisë gjë që do të sjellë dhe përmirësimin e kushteve në zonat rurale nënvizoi ambasadorja gjermane.

“Këto para do të përdoren për rritjen e kapitalit të garancisë, kështu që tanimë do të jenë më shumë klientë që do të mund të marrin kredi. Gjithashtu ne do të financojmë një ekspert në funksion të sensibilizimit të bankave partnere për nevojat specifike të Sipërmarrjeve të vogla e të Mesme në zonat rurale. Kjo bën të qartë që përmes Fondit të Garancisë së Kredive Rurale, ne mund t’i bëjmë ballë me sukses vështirësive në kredimarrje të sipërmarrjeve të vogla në zonat rurale”, tha Schütz.

Nëpërmjet kredive të ofruara me kushte lehtësuese, fermerët kanë mundësinë të mbulojnë pjesën e mbetur të financimit që nuk mbulohet me grantet e përfituara si në rastin e Skemës Kombëtare të Mbështetjes Financiare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!