Një pakicë e zhurmshme përballë një shumice të heshtur. Kështu i ka përshkruar dy “grupet” e krijuar brenda Partisë Demokratike Blendi Sulaj, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD.
Në një bisedë me Sibora Bitrin në “ABC Live”, Sulaj tha se edhe nëse do të ketë më shumë se 4200 firma, Sali Berisha nuk mund të mbledhë Kuvendin Kombëtar të Partisë, pasi për këtë proces duhen zbatuar disa rregulla.
“Mundësia dhe nëse do të ishin ato firma, për ta mbledhur Berisha Kuvendin ka humbur. Nuk kanë zbatuar rregullat që u delegon statuti…PD është një institucion që funksionin në bazë të rregullave dhje rregullat janë të qarta për çdokënd.”
Sipas asaj që u shpreh, Blendi Sulaj beson se nën lidershipin e Bashës demokratët do të bashkohen ndërsa shtoi se “edhe ata të pakicës” do t’i bashkohen.
“E keqja më e madhe është Edi Rama. Në PD nuk ka përçarje.”
I pyetur nëse beson që Departamenti Amerikan i Shtetit ka prova kundër liderit historik të demokratëve, Sulaj tha se PD nuk mund të sillej me dy standarte. Ai solli në vëmendje sesi partia ku ai bën pjesë ka ngritur zërin për Vangjush Dakon dhe Tom Doshin.
“Ato që kemi thënë për kundërshtarin politik, duhet t’i mbajmë edhe për vete. Mos vemë në dyshim një institucion si DASH.”
Për Blendi Sulajn kryedemokrati Lulzim Basha është njeriu që po mbron më shumë se kushdo interesat e PD, kurse iniciativa që Berisha ka nisur “për interesat e tij personale thjesht i jep mundësi Ramës që të bëjë ç’të dojë.” /abcnews.al/