Vijon në të gjithë vendin zbatimi i detyrave të përcaktuara në Planin e Masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, kapjen e personave në kërkim, personave që mbajnë armë pa leje, atyre me tendencë në krimet kundër personit, të atyre që shpërndajë apo trafikojnë lëndë narkotike etj.
Kështu, njoftohet se në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit kanë funksionuar 74 pika kontrolli në akset rrugore nacionale, në brendësi të qyteteve dhe në akset kryesore rurale, si dhe janë shtuar patrullimet në kufirin jeshil dhe atë blu.
Për pasojë, në të gjithë vendin janë arrestuar në flagrancë 20 qytetarë dhe janë ndaluar 4 persona të shpallur në kërkim.
Po ashtu, gjatë kontrolleve, janë shoqëruar për verifikim, 48 persona me precedent penal të mëparshëm dhe pa dokument identifikimi me vete.
Në pranga për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve janë vënë 6 persona. Një në Dibër, 1 në Elbasan dhe 3 në Tiranë. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar drogë dhe para të përfituara nga shpërndarja e lëndës narkotike.
Po ashtu, janë ndaluar 4 persona të shpallur në kërkim: 1 në Fier dhe 1 në Kukës, për vjedhje, 1 në Korçë, për kundërshtim të punonjësit të policisë dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe 1 në Tepelenë, i shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike.
Në Lezhë është arrestuar një person, pasi gjatë kontrollit iu gjet një armë e ftohtë, dorezë metalike. Kurse, në Korçë është arrestuar në flagrancë një qytetar, pasi u kap duke transportuar 2 emigrantë të paligjshëm.
Janë arrestuar edhe 3 persona që u kapën duke drejtuar mjetet në gjendje të dehur, 1 në Dibër, 1 në Berat dhe 1 në Lezhë.
Gjithashtu janë bllokuar për mungesë dokumentacioni 17 automjete në gjithë vendin. s.b/abcnews.al/