FMN: Rritja pritet të konvergojë në potencialin e saj në periudhën afatmesme

schedule08:20 - 16 Janar, 2022

schedule 08:20 - 16 Janar, 2022

Intervistë me Yan Sun, shefe e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Shqipërinë. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pret që ekonomia shqiptare të rritet me 3.8% në vitin 2022. Shefja e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun, në një intervistë për “Monitor”, pohon se pasiguria mbi perspektivën mbetet e lartë, me rreziqet në kahun e poshtëm. Këto rreziqe lidhen si me pasigurinë e shkaktuar nga ecuria e pandemisë, inflacionin e lartë, çmimet e energjisë, rrezikun e shtrëngimit të kushteve financiare globale, që mund të ndikojë në pozicionin fiskal të vendit.

Yan Sun rithekson rekomandimin e FMN-së që rimëkëmbja të përdoret si një mjet për të nisur një rregullim fiskal të besueshëm dhe ambicioz, i cili është thelbësor për Shqipërinë, në mënyrë që të rindërtojë amortizatorët fiskalë për të përballuar goditjet e ardhshme.

Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe shpejtësinë e rimëkëmbjes së saj?

Ekonomia e Shqipërisë ka treguar një qëndrueshmëri të konsiderueshme ndaj pasojave të tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë. Pas situatës së vështirë në vitin 2020, PBB-ja reale po rimëkëmbet fuqishëm, me një rritje të parashikuar prej 7.8% në vitin 2021. Rimëkëmbja është me bazë të gjerë, me të gjithë sektorët, përveç bujqësisë, që regjistrojnë rritje pozitive në gjysmën e parë të vitit. Prodhimi i energjisë elektrike pothuajse u dyfishua në tre tremujorët e parë të vitit, për shkak të kushteve të favorshme atmosferike.

Mbërritjet e turistëve gjithashtu u rikuperuan, megjithëse burimet e flukseve turistike janë zhvendosur drejt më shumë vendeve rajonale dhe të tregjeve në zhvillim. Treguesit e tregut të punës janë përmirësuar, afër niveleve të tyre para pandemisë. Inflacioni total është rritur për shkak të çmimeve më të larta të ushqimeve dhe energjisë, por inflacioni bazë është rritur vetëm në mënyrë modeste dhe presionet më të gjera inflacioniste në këtë fazë janë të përmbajtura.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për ecurinë e ekonomisë shqiptare në vitin 2022?

Ne parashikojmë që PBB-ja reale të rritet me 3.8% në vitin 2022. Aktiviteti ekonomik pritet të mbetet i fortë, ndërsa ndikimi i pandemisë zvogëlohet dhe turizmi vazhdon të rimëkëmbet, por rritja do të zbutet nga reduktimi i nevojshëm i mbështetjes fiskale, duke përfshirë rindërtimin dhe maturimin e ciklit të rikuperimit.

Deficiti i llogarisë korente pritet të vazhdojë të reduktohet, mbështetur nga rritja e vazhdueshme e mbërritjeve të turistëve dhe rritja më e ngadaltë e importeve të mallrave, si rrjedhojë e ngadalësimit të investimeve publike dhe rindërtimit. Rritja pritet të konvergojë në potencialin e saj prej 3.4% në periudhën afatmesme.

Parashikimi

Ne parashikojmë që PBB-ja reale të rritet me 3.8% në vitin 2022. Aktiviteti ekonomik pritet të mbetet i fortë, ndërsa ndikimi i pandemisë zvogëlohet dhe turizmi vazhdon të rimëkëmbet, por rritja do të zbutet nga reduktimi i nevojshëm i mbështetjes fiskale, duke përfshirë rindërtimin dhe maturimin e ciklit të rikuperimit.

Cilat janë rreziqet për ekonominë shqiptare në vitin 2022?

Pasiguria mbi perspektivën mbetet e lartë, me rreziqet në kahun e poshtëm. Rreziku i parë në mendjen e të gjithëve është trajektorja e ardhshme e pandemisë. Shfaqja e varianteve rezistente ndaj vaksinave, ose e shpërthimeve të lokalizuara në Shqipëri, për shkak të shkallës relativisht të ulët të vaksinimit paraqet një rrezik të madh negativ. Çmimet më të larta globale të energjisë paraqesin një tjetër rrezik negativ për rimëkëmbjen.

Kushtet më të shtrënguara financiare globale mund ta bëjnë financimin më sfidues për Shqipërinë, një skenar që mund të përkeqësohet më tej nga çdo përkeqësim i ndjeshëm i pozicionit fiskal të vendit. Bilancet janë gjithashtu të ekspozuara ndaj variacioneve të kursit të këmbimit, me borxh të jashtëm të konsiderueshëm dhe kredi të pambrojtura në valutë. Nga ana tjetër, normalizimi më i shpejtë se sa pritej nga pandemia paraqet një rrezik në kahun e sipërm.

FMN-ja ka qenë kritike ndaj sjelljes fiskale dhe të menaxhimit të borxhit të qeverisë shqiptare. Pse dhe cilat janë rreziqet e kësaj sjelljeje në afat të mesëm?

Ne e mbështetëm rritjen e konsiderueshme të deficitit fiskal në 2020, pasi ishte e nevojshme për të zbutur ndikimin e tërmetit të vitit 2019 dhe pasojave të pandemisë globale. Megjithatë, politika fiskale në vitin 2021 është më shumë ekspansioniste sesa rekomandohej. Pavarësisht një rikthimi të fortë të rritjes ekonomike, deficiti primar pritet të arrijë në 4 ½ % të PBB-së në vitin 2021, në nivele të ngjashme me atë të vitit 2020. Borxhi i qeverisë së përgjithshme parashikohet të rritet në pak mbi 80% të PBB-së në fund të vitit 2021, ndër më të lartët në rajon.

Buxheti i vitit 2022 gjithashtu përfshin rregullime shumë të kufizuara fiskale. Edhe nëse arrihet një bilanc primar fiskal në vitin 2024 e më tej, pa përpjekje shtesë rregulluese, borxhi publik parashikohet të qëndrojë mbi 70% të PBB-së në periudhën afatmesme, dukshëm më i lartë se niveli para pandemisë. Nevojat për financim bruto të qeverisë do të mbeten gjithashtu të konsiderueshme, në rreth 21% të PBB-së në vit.

Ne kemi rekomanduar që rimëkëmbja të përdorej si një mjet për të nisur një rregullim fiskal të besueshëm dhe ambicioz, i cili është thelbësor për Shqipërinë, në mënyrë që të rindërtojë amortizatorët fiskalë për të përballuar goditjet e ardhshme. Rregullimi duhet të bazohet në masat për të zgjeruar bazën tatimore dhe për të hequr shtigjet fiskale dhe përjashtimet dhe për të reduktuar shpenzimet jo prioritare, me efikasitet të ulët, si dhe mbështetjet jo të shënjestruara, të cilat kanë ndikim të kufizuar në rritje.

Me një strategji të tillë, borxhi publik parashikohet të ulet më shpejt, duke rënë nën nivelin e para-pandemisë deri në vitin 2026. Për më tepër, disiplina fiskale, komunikimi i qartë i prioriteteve të politikave dhe besueshmëria dhe transparenca fiskale duhet ta bëjnë më të lehtë huamarrjen e qeverisë.

Të ardhurat përtej parashikimit duhet të kursehen dhe të përdoren për reduktim më të shpejtë të deficitit dhe borxhit. Nëse rimëkëmbja do të hasë pengesa, duhet të ketë mbështetje më të lartë të synuar, duke supozuar se financimi është i disponueshëm.

Në bashkëpunim me FMN, Shqipëria po miraton një plan afatmesëm të rregullimit fiskal (Strategjia Afatmesme e të Ardhurave). Cilat janë pritshmëritë tuaja nga kjo strategji dhe si e vlerësoni angazhimin e qeverisë shqiptare në këtë drejtim?

Një Strategji e Qëndrueshme Afatmesme e të Ardhurave (MTRS), që zgjeron bazën tatimore dhe heq mundësitë për shmangie fiskale, është shtylla kryesore e një rregullimi të besueshëm fiskal. Nëse zbatohet plotësisht, një MTRS e qëndrueshme, në përputhje me rekomandimet tona, vlerësohet se mund të ndihmojë në rritjen e të ardhurave me 2.3% të PBB-së gjatë katër viteve, duke mbajtur kështu barrën e rregullimit shtesë, të nevojshëm për reduktim më të shpejtë të borxhit.

Së fundmi ka pasur dy misione asistence teknike të FMN-së, të cilat kanë shqyrtuar draftin e MTRS-së të autoriteteve, që mbulojnë reformën e politikës tatimore dhe administrimin e të ardhurave. Misionet bënë një sërë rekomandimesh për autoritetet për të forcuar MTRS-në, duke përfshirë masa shtesë të reformës së politikës tatimore, që janë të nevojshme për të mbushur hendekun e konsiderueshëm të të ardhurave të vlerësuara (në krahasim me objektivin e autoriteteve).

Ne vazhdojmë të këshillojmë kundër amnistisë tatimore dhe uljeve “ad hoc” të taksave, përjashtimeve dhe stimujve, të cilat bien ndesh me strategjinë afatgjatë të autoriteteve për rritjen e të ardhurave. Autoritetet kanë theksuar rolin e reformave të të ardhurave, si shtylla kryesore e konsolidimit fiskal dhe kanë parashikuar një finalizim dhe zbatim në kohë të MTRS.

Sipas raportit tuaj të fundit “Stoku në rritje i shpejtë i Partneriteteve Publike-Private (PPP) – që pritet të arrijë në 50% të PBB-së në vitin 2021, nga 33% në 2018-n, kërkon përpjekje të dyfishuara për të forcuar menaxhimin e investimeve publike”. Cilat janë rreziqet e PPP-ve dhe si i vlerësoni përpjekjet e qeverisë për të adresuar shqetësimet tuaja, si dhe transparencën e saj?

Informacioni i kufizuar mbi ekspozimin e vërtetë të qeverisë ndaj PPP-ve është një sfidë kryesore në kontekstin e rritjes së rreziqeve fiskale, pasi mungesa e të dhënave të qarta e bën të vështirë vlerësimin dhe menaxhimin efektiv të këtyre rreziqeve.

Përtej pagesave të menjëhershme buxhetore, nuk ka një vlerësim gjithëpërfshirës të detyrimeve kontingjente në lidhje me PPP-të dhe ndikimin e tyre fiskal për kohëzgjatjen e plotë të këtyre kontratave. Çështjet kryesore që lidhen me PPP-të përfshijnë mungesën e transparencës për tejkalimet e kostos dhe afateve, si dhe mospërputhjen me proceset e përcaktuara të përzgjedhjes dhe miratimit, duke përfshirë rastet kur PPP-të përdoren për të anashkaluar kufijtë buxhetorë afatmesëm.

Autoritetet duhet të adresojnë mangësitë e konsiderueshme në menaxhimin e investimeve publike (PIM). Duhet të zbatohen rekomandimet e parealizuara ende nga Vlerësimi i Menaxhimit të Investimeve Publike 2016 (PIMA). Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) duhet të veprojë në mënyrë proaktive si roje në përzgjedhjen e projekteve dhe duhet të angazhohet aktivisht në vlerësimin dhe monitorimin. Duhet të harmonizohen proceset për PPP-të dhe projektet e investimeve publike të financuara nga buxheti.

Autoritetet kanë shprehur përkushtimin e tyre për forcimin e PIM, i cili duhet të përfshijë PPP-të, dhe për monitorimin dhe menaxhimin më të afërt të rreziqeve fiskale në rritje. Në këtë kontekst, që nga viti 2019 publikohet një raport vjetor i monitorimit të PPP-ve.

MFE gjithashtu raporton periodikisht për pagesat buxhetore për PPP-të dhe nëse mbështetja e përgjithshme në afat të mesëm është nën kufirin ligjor prej 5% të të ardhurave tatimore. Megjithatë, informacioni i dukshëm mbi detyrimet e nënkuptuara të qeverisë, që rrjedhin nga PPP-të, mbetet i kufizuar.

PPP-të
Nuk ka një vlerësim gjithëpërfshirës të detyrimeve kontingjente në lidhje me PPP-të dhe ndikimin e tyre fiskal për kohëzgjatjen e plotë të këtyre kontratave. Çështjet kryesore që lidhen me PPP-të përfshijnë mungesën e transparencës për tejkalimet e kostos dhe afateve, si dhe mospërputhjen me proceset e përcaktuara të përzgjedhjes dhe miratimit, duke përfshirë rastet kur PPP-të përdoren për të anashkaluar kufijtë buxhetorë afatmesëm.

Si e vlerësoni ecurinë e rindërtimit pas tërmetit dhe transparencën për fondet e tij?

Duhet të zbatohen sa më shpejt që të jetë e mundur masat e transparencës dhe llogaridhënies për shpenzimet e kryera sipas procedurave emergjente në përgjigje të tërmetit dhe pandemisë. Përdorimi i fondeve për rindërtimin pas tërmetit, duke pasur parasysh madhësinë e tyre dhe kohëzgjatjen shumëvjeçare, duhet të integrohet në procesin buxhetor, si çdo program tjetër buxhetor dhe t’u nënshtrohet kontrolleve adekuate të menaxhimit financiar publik.

Auditimi i Institucionit të Lartë të Kontrollit të Lartë (KLSH) i publikuar së fundmi për rindërtimin pas tërmetit ka identifikuar mangësi në koordinimin, monitorimin dhe transparencën e përdorimit të këtyre fondeve. Autoritetet shqiptare duhet të adresojnë me kohë mangësitë e identifikuara nga auditimi.

Përveç kësaj, ato duhet të publikojnë kontratat e prokurimit publik që kanë të bëjnë me shpenzimet e lidhura me rindërtimin pas tërmetit, emrat e kompanive që kanë fituar dhe pronarët e tyre përfitues. Ne mirëpresim progresin e vazhdueshëm në ngritjen e një Regjistri publik të Pronarëve Përfitues, si dhe synimin e KLSH-së për të vazhduar punën e tij për auditimin e shpenzimeve të lidhura me krizën në vitin 2021.

A keni ndonjë vlerësim të detyrimeve të prapambetura dhe të nivelit të PPP-ve jashtë bilancit?

MFE raporton rregullisht nivelin e detyrimeve të prapambetura dhe që nga shtatori 2020, ky raportim bëhet automatikisht nëpërmjet sistemit të Thesarit, duke zëvendësuar anketat tremujore. Në shtator 2021, data e fundit e raportimit, detyrimet e prapambetura të Qeverisë së Përgjithshme ishin 19.7 miliardë lekë (1.1% e PBB-së).

Ndërsa detyrimet e prapambetura të qeverisë qendrore dhe vendore janë rritur disi në tremujorin e tretë, është inkurajuese të shihet se detyrimet e prapambetura të rimbursimit të TVSH-së janë pothuajse të pastra. Shpresojmë që në vijim, rimbursimet e TVSH-së të bëhen me kohë.

Për sa u përket PPP-ve, treguesit kryesorë të disponueshëm janë vlera totale e kontratave dhe pagesat buxhetore direkte, të cilat, sipas mandatit të ligjit organik të buxhetit, duhet të mbeten nën 5% të të ardhurave tatimore të një viti më parë. MFE raporton rregullisht për këta tregues dhe respektimin e kufirit ligjor, për shembull, në dokumentet buxhetore të dorëzuara në Parlament, ose në raportin e monitorimit të PPP-ve të publikuar së fundmi.

Megjithatë, siç u përmend më parë, rreziqet fiskale që lidhen me këto kontrata nuk janë vlerësuar në mënyrën e duhur. Është e rëndësishme të kemi një pasqyrë gjithëpërfshirëse jo vetëm të kostove direkte që lidhen me PPP-të, por edhe të të gjitha detyrimeve kontingjente dhe rreziqeve të tjera që lidhen me to për jetëgjatësinë e këtyre kontratave. /Monitor