Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

FMN: Re të zeza mbi ekonominë globale

schedule23:24 - 21 Janar, 2019

schedule 23:24 - 21 Janar, 2019

Një raport i ri i Fondit Monetar Ndërkombëtar paralajmëron se re të zeza po mblidhen mbi ekonominë globale. Dokumenti nënvizon se shkak për cënimin e treguesve të ekonomisë janë bërë kontesti tregtar SHBA-Kinë dhe dalja e mundshme e Britanisë nga BE pa një marrëveshje.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se përshkallëzimi i tensioneve tregtare mes fuqive të mëdha mund të minojë rritjen ekonomike globale. Në një raport të ri ku analizohen pritshmëritë ekonomike, FMN paralajmëron gjithashtu se një rrezik i madh rrjedh edhe nga një dalje e mundshme e Britanisë së Madhe nga BE pa një marrëveshje.

Fondi parashikon që gjatë vitit 2019, rritja ekonomike në nivel botëror do të jetë 3.5 për qind, një kuotë kjo më e ulët se parashikimi i bërë tetorin e kaluar, kur ishte 3.7 për qind. Sa i takon Mbretërisë së Bashkuar, raporti parashikon një rritje prej 1.5 për qind për këtë vit dhe atë të ardhshmin, por gjithashtu nënvizon rrezikun që vjen nga pasiguritë financiare, që mund ta ulin shifrën.

Të dhënat statistikore për këtë vit janë më të ulëta se ato të vitit të kaluar. Rritja e tarifave nga presidenti Donald Trump për produktet kineze dhe përgjigjia reciproke e Pekinit i kanë dhënë tashmë efektet për një ulje të parashikimeve. FMN parashikon gjithashtu se ngadalësimi i ritmit ekonomik të Kinës do të vazhdojë, ndonëse parashikimet për rritjen për vitet 2019 dhe 2020 është 6.2 për qind.

Raporti i ri i fondit përmban gjithashtu parashikime të tkurrura për ekonomitë e zhvilluara, sidomos për ato të Eurozonës. Kjo situatë reflekton mes të tjerash rënien e industrisë së mjeteve motorike në Gjermani për shkak të skandalit të emetimeve. Gjithashtu, shqetësime ngrihen për Italinë, ku regjistrohet paqëndrueshmëri në tregjet financiare dhe në sistemin bankar për shkak të planit të qeverisë për të rritur shpenzimet, një lëvizje kjo që kundërshtohet nga Bashkimi Europian. Edhe pse në raport nënvizohet se rimëkëmbja globale nga recesioni i madh i viteve 2008-2009 do të vazhdojë, ai vë në dukje se retë e zeza po mblidhen./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!