Nga Erblina Mile
Rritja e ekonomisë shqiptare do të përgjysmohet gjatë vitit 2022. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar niveli i rritjes për vitin e ardhshëm parashikohet të jetë 3,8% nga 7.8% që vlerësohet të arrijë këtë vit. Rreziqet në këtë ecuri lidhen me vijimin e pandemisë dhe rritjen e çmimeve të energjisë.
Ndërkohë që i ka bërë apel qeverisë që të bëhet kujdes me ndryshimet e shpeshta të buxhetit të cilat duhet të realizohen vetëm në raste emergjente. Rrezik për financat shqiptare Fondi monetar Ndërkombëtar ka cilësuar dhënien e garancive sovrane për bizneset dhe institucionet shtetërore. Në raport theksohet se duhet të merren masa për të realizuar reforma në sektorin e energjisë dhe të ujit.
“Skemat e garancisë së qeverisë për sektorin privat aktualisht dhe mbështetja në rritje e sipërmarrjeve shtetërore nga garancitë sovrane dhe mbështetja buxhetore e herëpashershme shtojnë rreziqet fiskale. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të rigjallërohen reformat e sektorit të energjisë elektrike dhe të ujit që janë vonuar vitet e fundit, në mënyrë që të ndihmojnë në uljen e rreziqeve fiskale dhe dobësive të lidhura me klimën”.
Fondi Monetar Ndërkombëtar thekson se është e rëndësishme që të ndërhyhet në sistemin tatimor për ta thjeshtuar atë sa më shumë në mënyrë që të rritet niveli i të ardhurave. Kritikë janë me përjashtimet e bëra sidomos në zërin e TVSH.
“Duhet të vendoset një prag i vetëm regjistrimi për TVSH-në dhe tatimin mbi të ardhurat. Disa masa, si futja e një norme të dytë e reduktuar e TVSH-së dhe struktura e propozuar e TAP, ka të ngjarë të dëmtojë më tej qëndrueshmërinë e sistemi tatimor dhe duhet të rishikohet”.
Fondi Monetar Ndërkombëtar I ka kërkuar qeverisë ndër të tjera që të rrisë transparencën dhe llogaridhënien për shpenzimet emergjente dhe fondet me subjekt rindërtimi. Ndërsa theksohet se
Ekspozimi i qeverisë ndaj projekteve PPP është një sfidë kryesore.
REKOMANDIMET PËR TAKSAT
- Vendosni një objektiv të vetëm të të ardhurave të përgjithshme.
- Vlerësoni ndikimin e të ardhurave të secilës reformë të politikës tatimore
- Të vendoset një prag i vetëm regjistrimi për TVSH-në dhe tatimin mbi të ardhurat
- Hartimi i një regjimi të thjeshtuar tatimor për të trajtuar në mënyrë të barabartë tatimpaguesit
/ Abcnews.al